Ardit Gjebrea ndryshon jurinë e “Kënga Magjike 2019”
Sapo producenti Ardit Gjebrea lajmëroi çeljen e edicionit “Kënga Magjike 2019”, veçoi si risi këtë vit, veç votës së vetë artistëve, edhe votën e publikut. Disa javë më parë, në një postim në llogarinë e tij, Arditi shkroi: “Këtë vit në #kengamagjike, veç artistëve në netët finale, do të votojë edhe publiku. Këtë vit do të votojë edhe juria e Neë Artist, vetë juria këtë vit do të ketë ndryshime. Nuk po i tregoj të gjitha, di vetëm që ky edicion do të jetë thjesht ai që do donte publiku dhe artistët. Ndaj kush mendon të jetë pjesë e magjisë 2019, le të fillojë përgatitjet që tani, të tjerat na i lini ne.” Menjëherë pas këtij lajmërimi, një pjesë e mirë e këngëtarëve kanë nisur të mendojnë për materialet e tyre për Këngën Magjike. Valon Shehu është një prej artistëve që do të rikthehen këtë vit në magjinë e edicionit të 21-të. Por veç mënyrës së votimit, këtë vit do të ketë ndryshime edhe në juri. Siç ka mësuar Indeksonline, këngëtaret Manjola Nallbani, Orgesa Zaimi dhe Orinda Huta nuk do të jenë pjesë e jurisë këtë edicion. Armend Rexhepagiqi dhe Arben Skënderi, të cilët ishin pjesë e edicionit të kaluar, do të vazhdojnë të jenë në jurinë “New Artist”.Po kështu, mësohet se një hyrje e re në juri do të jetë Jonida Maliqi, këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision dhe një prej vokaleve më të mirë femërorë të muzikës së lehtë shqiptare. Për Jonidën nuk është hera e parë që ulet në karrigen e gjykueses. Ajo ka qenë pjesë e “The Voice”, një eksperiencë që e ka shijuar shumë, por është ulur në karrigen vlerësuese edhe në spektakle e gara të tjera muzikore, shkruan Class. Veç Jonidës, me siguri, juria e këtij edicioni do të ketë edhe hyrje të tjera, edhe risi të tjera, të cilat produksioni do t’i zbulojë së shpejti.