Endri Prifti: Ende s’më ka rrahur zemra për një femër, me dy djemtë flas si shok e s’besoj se do ndërhyjnë në zgjedhjen time

“Trëndafili fshihet nën gjethe” është kënga e shkruar nga vetë Endri Prifti. I pëlqen të shkruajë vargje për veten, ku mes tyre mund të gjejnë veten dhe të tjerët. Baba i dy djemve flet në këtë intervistë për “Panorama Plus” për karrierën, udhëtimet për koncerte, dashurinë, marrëdhënien me dy djemtë nga martesat e para dhe të ardhmen në Amerikë.

“Trëndafili fshihet nën gjethe” është kënga që ka pushtuar rrjetet sociale. Mund të themi se kjo është gjendja shpirtërore, në të cilën ti ndihesh në këtë periudhë, nëse u referohemi vargjeve, ku vë në dukje se “ajo” nuk ta kuptoi shpirtin?

Patjetër që dhe unë e postoj këtë këngë, sepse është kënga jonë më e re. Unë shkruaj gjithmonë për realitetin, por nuk i kushtohem asnjëherë 100% jetës sime reale, pasi mendoj edhe për gjithë jetët e njerëzve të tjerë. Pra, shkruaj për të gjithë! Këto fjalë janë për çdo njeri që e gjen veten brenda kësaj vepre muzikore.

Një mesazh e jep edhe për intrigantët që na rrethojnë, ndërsa veten e quan “legjendë”. Fshihen emra konkretë që i njohim pas këtyre etiketimeve?

Edhe fjalët e fundit të këngës janë për publikun, për çdo aspekt të jetës së tyre! Çdokush nga ne ka rreth vetes intrigantë e servilë, gënjeshtarë etj.. Çdokush nga ne për jetën duhet të ketë forcë e t’ia arrijë qëllimit që ka në jetë. Pra. çdokënd që mendon kështu, unë e quaj “legjendë”, si në politikë, si në biznes, si në art, kulturë e kudo.

Endri-Prifti-3

Gjithmonë je dalluar për rebelizmin, duke preferuar t’i thuash mendimet dhe pakënaqësitë hapur. I fundit ishte statusi për ndalimin nga Policia kur i jepje makinës, sipas tyre, në efektin e alkoolit. Ku mbaron liria e një artisti si ty dhe ku fillon ajo e shtetit? Me atë incidentin për makinën e tre birrat që kisha pirë unë?

Së pari, mua më bëri përshtypje pjesëmarrja e aq shumë forcave policore. Mbi 30 policë në rrugë, çdo makinë që kalonte ndalohej, ishte kjo situata që s’më pëlqeu, të them të drejtën. Pastaj, të tjerat s’janë për mua. Jeta ime është muzika, asgjë nuk e cenon këtë shtet nga një artist i vërtetë.

Megjithatë, gjëra që ndodhin, kanë ndodhur edhe në gjithë vendet e botës, ku artistë e sportistë me famë i ka ndaluar Policia e i ka gjobitur. Nejse, e thashë që janë ndodhi të jetës sonë të përditshme e nuk i shmangim dot!

Si është vera, sa u përket koncerteve dhe fitimeve tuaja, si vëllezërit e famshëm Prifti. Ka ndikuar situata politike në punën tuaj?

Dihet që ne nuk kemi sezon. Minimumi, dy herë në javë gjatë gjithë vitit i kemi koncerte ose festa familjare. Patjetër tani vera ka më shumë ngarkesë, por mua më pëlqen të udhëtoj dhe nuk mërzitem asnjëherë me punën time, duke kënduar këngët tona së bashku me gjithë publikun kudo ndodhemi, anembanë botës.

Endri-Prifti-2

Para pak kohësh u shprehe se kishe plan të largoheshe nga Shqipëria. Ndodhi diçka që ndryshove mendje?

Jo, unë kam thënë që e ardhmja ime do të jetë në ndonjë vend të bukur të botës si Amerika, por asnjëherë s’i dihet se çfarë sjell jeta. Asnjëherë s’e përcaktojmë dot fiks se kur do të ndodhë diçka e bukur për secilin nga ne. Jeta është nganjëherë edhe fat, të vjen aty ku s’e pret. Kismet Zotit, të kemi shëndetin se të gjitha do të realizohen!

Ju shohim gjithmonë bashkë me vëllain, Stefin, në skenë dhe jashtë saj. Kush nga ju ka provuar dhimbjen më të madhe, Stefi, të cilit iu nda gruaja nga jeta, apo ti, që je ndarë nga gruaja?

Se kush nga ne vuan më shumë, s’di ta them! Secili nga ne e di vetë dhimbjen e vet, secila nga këto ka opsionin e vet, nuk e di cila është më e madhe.

Në njohjet e reja që keni, ndodh që ndikoheni nga njëri-tjetri kur zgjedhjet e secilit s’janë në pritshmëritë tuaja?

Kësaj të njohjeve si pyetje nuk mund t’i përgjigjem. Është jeta jonë personale.

Endri-Prifti-1

Edhe pse thua se ke bërë shumë aventura me femra, ende s‘të kemi parë zyrtarisht me ndonjërën. Kur do të vijë momenti të na prezantosh me vajzën që të ka rrëmbyer zemrën?

Është shumë vështirë të gjesh dikë që të të rrëmbejë zemrën sot! Në brezin e sotëm më duket se dashuria nuk ekziston, është gjithçka interes a ku di unë, s’mund ta shpjegoj kështu kot. Jo, nuk më ka rrahur zemra akoma!

Partnerja jote e ardhshme duhet të marrë ok-in nga djemtë e tu? Keni arritur të flisni tashmë si shokë edhe për këto çështje?

Me djemtë flas vërtet si shokë, por nuk mendoj se do të ndërhyjnë asnjëherë në zgjedhjen e babit të tyre që i do kaq shumë! Mbase s’e di.

PANORAMA PLUS