Lidhja intime/ Krimi në familje në Vlorë i paralajmëruar

Krimi i rëndë në fshatin Babicë e Madhe ishte paralajmëruar rreth një javë më parë. Kjo, pasi vëllai i autorit të krimit në familje kishte tentuar të vriste një person me armë gjahu.
Vëllai i Lavdosh Sulos, për shkak të dyshimeve se, L. S., 46 vjeç, kishte lidhje jashtëmartesore me kunatën e tij, e qëlloi këtë të fundit me armë gjahu, teke. Ngjarja ka ndodhur më 19 qershor në zonën e quajtur “Alikokë” në Babicë e Madhe.

Arben Sulo, 44 vjeç qëlloi pikërisht mbi kushëririn e tij, pasi dyshimet se ai kishte lidhje me Laureta Sulon ishin bërë shkak për konflikte të vazhdueshme në familjen e vëllait të tij të madh. 46-vjeçari përfundoi i palënduar, ndërsa 44-vjeçari Sulo u vu në pranga për tentativë vrasjeje.

“Policia parandalon përshkallëzimin e një konflikti të mundshëm midis dy personave. Tenton të vrasë me armë gjahu kushëririn e tij – vihet në pranga nga Policia autori. Mbrëmjen e djeshme (19 qershor), pas marrjes së informacionit se në fshatin Babicë e Madhe ka konflikt me armë midis dy personave, menjëherë shërbimet e Policisë janë afruar në vendin e ngjarjes, duke bërë parandalimin e një vrasjeje të mundshme. Konkretisht, në vendin e quajtur ‘Alikokë’, Babicë e Madhe, shtetasi A. S., 44 vjeç, ka tentuar të vrasë me armë gjahu (teke) shtetasin L.S., 46 vjeç, për motive të dobëta (kushërinj me njëri-tjetrin).

L-2

Policia ka bërë kapjen dhe arrestimin e menjëhershëm të shtetasit A.S, për veprat penale ‘Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe atyre sportive’. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, bëhet e ditur nga Policia, lidhur me ngjarjen.

Pas kësaj ngjarjeje, duket se gjakrat në çiftin Sulo janë nxehur akoma edhe më shumë, duke bërë që gjithçka të përfundonte tragjikisht mesditën e 25 qershorit.

Lavdosh Sulo e ka përjetuar keq arrestimin e vëllait të tij për shkak të konfliktit që kishte me gruan, por nga ana tjetër ka përforcuar akoma edhe më shumë dyshimet për tradhti të mundshme, dyshime të cilat duket se e kanë shtyrë drejt vrasjes së 42-vjeçares në mënyrë makabre me sëpatë dhe mjete të tjera të forta.

Gjithashtu, 56-vjeçari Sulo është ndjekur penalisht për dhunë ndaj bashkëshortes, edhe 7 vite më parë. Laureta Sulo denoncoi në vitin 2012 dhunën e burrit, por me ndërhyrjen e familjarëve të të dyve, çifti iu rikthye normalitetit, duke “u pajtuar”.

Por, ribashkimi i tyre nuk zgjati më shumë se 7 vjet. Policia e Vlorës mësohet se ka marrë, fillimisht, deklaratë nga të afërm të familjes për vrasjen e 42-vjeçares, e cila bashkë me burrin, punon në servisin e familjes, që ndodhej ngjitur me shtëpinë e tyre. Familjarët dhe të afërmit, kur kanë marrë vesh ngjarjen, kanë mbetur të tronditur, pasi çiftin e njihnin si punëtor dhe familjar.

L-1

Tashmë, me vrasjen e Laureta Sulos dhe arrestimin e Lavdosh Sulos, dy fëmijët e tyre do të mbetën pa kujdesin e dy prindërve. Më të vështirë të gjithë këtë situatë duket se do ta ketë vajza e tyre, vetëm 12 vjeçe. Si ajo dhe djali 23 vjeç, në momentin e krimit, nuk ndodheshin në shtëpi.

Çifti po hante drekë, pasi më parë kishte punuar për disa orë në servisin e makinave, që është dhe burimi i vetëm i të ardhurave për familjen, në momentin e ngjarjes së rëndë. Ka mjaftuar një zënkë e vogël që 56- vjeçari të marrë sëpatën dhe ta godasë në kokë, pasur me pas me goditje të tjera me vegla të servisit.

VËLLAI
Një prej katër vëllezërve të tjerë të Lavdosh Sulos e ka marrë lajmin nga Policia për ngjarjen e rëndë. Artur Sulo, në momentin që mbërriti me motor pranë servisit, nuk e përmbajti dot dhimbjen. “Oh, çfarë më bëre”, dukej se i drejtohej ai vëllait të madh për krimin e bërë. Nga ana tjetër, banorët tregojnë se vetë Lavdosh Sulo, pasi ka shkuar në një lokal pranë servisit të tij, u ka kërkuar të pranishmëve që të lajmëronin Policinë se kishte vrarë gruan./PANORAMA