Vigan Shehu rrëfen transformimin fizik: Në shtrat më pëlqen më shumë paraloja sesa akti

Një aventurier i lindur, që i pëlqen të ecë krah për krah me famën. Vigan Shehu është modeli nga Kosova që ra në sy me pamjen dhe protagonizmin e tij në “Big Brother”, por që sot gati nuk njihet me transformimin që i ka bërë fizikut, ndërsa pozon si një bodybuilder i vërtetë. Pasi ka marrë pjesë në një garë profesionistësh në Tiranë, paralelisht po përgatitet për kompeticione ndërkombëtare në sport dhe klipin e tij të ri. Vëllai i këngëtarit Valon Shehu zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus” jetën e re gjithë rregulla për të skalitur fizikun, dhe atë jashtë rregullave për të shijuar shtratin.

Vigan-2

Gjashtë muaj punë intensive me trupin tënd dhe arrite të shndërrohesh në kampion, duke konkurruar në Kampionatin Ndërkombëtar të Bodybilding, që u mbajt këtë muaj në Tiranë. Si arrite ta skalitësh fizikun për gjysmë viti?
Për mua ishte një ndër sakrificat më të mëdha që kam pasur në jetën time për shkak disiplinës, vështirësisë dhe mundimit të madh që ky sport ofron që të kesh atë që dëshiron. Jam ushtruar 4 orë në ditë, në mëngjes 2 orë kardio, dhe në mesditë 2 orë palestër (shtanga), por përveç kësaj një ndër rolet më të rëndësishëm është ushqimi ku për mua është 70 për qind e suksesit. Gjatë kësaj kohe, ushqimi im ka qenë vetëm mish i bardhë i pulës, sallatë, brokol, vezë dhe drithëra.

Sa kushton të ndërtosh një trup të tillë dhe që të arrish ta mbash të tillë?
Përveç mundit, sakrificës, vullnetit dhe disiplinës së madhe që ky sport kërkon, mendoj që është një ndër sportet më të shtrenjta, pasi të duhet të shpenzosh në ushqim, por edhe në suplemente siç janë proteinat. Por të mos harrojmë që është edhe një ndër sportet më tradhtarë, në aspektin që kur ti pushon, trupi kthehet në formën e mëparshme.

Vigan-3

Duke u nisur nga ekspozimi i trupit në garën e bodybuilding. Të pëlqen vetja më shumë aktualisht, krahasuar me fizikun “slimfit” të një modeli që kishe?
Po më pëlqen shumë dallimi i trupit të modelit me atë të bodybuilding, por normale jo në përmasa të mëdha. Sepse, siç e dimë, në bodybuilding ndahen kategoritë në peshë dhe në gjatësi.

Do të vazhdosh ta mbash këtë fizik për të vazhduar me gara profesionistësh, apo do të rikthehesh aty ku ke qenë?
Pas suksesit që pata, mendoj që ta mbaj këtë fizik, pse jo, të marr pjesë edhe në garat europiane.

Vigan-4

Cili është mashkulli i njohur, të cilit dëshiron t’i ngjash nga statura?
Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë dëshirë që t’i ngjaja dikujt nga pamja apo fiziku. Thjesht përkushtohem dhe punoj fort me fizikun tim, që të arrij atë që unë dëshiroj të kem.

Po nga femrat shqiptare, për shijet e tua, kush ka trupin më seksi?
Mendoj që trupin më të bukur dhe të formuar e ka sportisja Geta Beqa.

Vigan-5

Përveç pjesëmarrjes në “Big Brother”, u përfshive edhe në muzikë, duke publikuar klipe dhe konkurruar në festivale. Është një rrugë që do e vazhdosh si vëllai i talentuar Valon Shehu, apo e le me aq?
Muzikën e kam pjesë të jetës, e që më shoqëron në çdo moment. Përveç kësaj, unë e konsideroj edhe si ilaç për zemrën. E normal që nuk e kam lënë mënjanë, pasi jam duke punuar në studio projektin më të ri në bashkëpunim me një këngëtare nga Tirana. Publikimi i këngës do të bëhet në muajin qershor.

Jeni të dy të famshëm, po kush nga ju ka më shumë sukses me femrat, duke qenë se Valoni njihet si romantiku i muzikës?
Sa u përket femrave, jam unë ai që kam më shumë sukses apo interesim nga ana e tyre. (Qesh) Sorry Brother! Por këtë e ka thënë edhe vetë Valoni në disa intervista të fundit që kemi pasur në emisione të ndryshme.

Vigan-1

Ka ndryshuar dukshëm tani marrëdhënia me vajzat, të gjuajnë më shumë se më parë?
Me thënë të drejtën, vëmendja siç e thashë ka qenë gjithmonë e madhe ndaj meje. (Qesh) Po tani ka interesim shumë më të madh se më parë.

Në shtrat je aq seksi sa dukesh dhe të pëlqen më shumë paraloja apo vetë akti?
Besoj që jam dhe më shumë se sa dukem (qesh). Më pëlqen paraloja!/Panorama Plus