Eli Fara dhe Gili injorojnë vitet mbi supe, festojnë 52-vjetorin sikur të jenë 30 vjeç
Këngëtaret e njohura Eli Fara dhe Gili kanë festuar ditëlindjet këtë javë të rrethuara nga familjarët e miqtë e ngushtë. Edhe pse secila ka festuar për qejf të vet, Eli në Frankurt të Gjermanisë dhe Gili në Prishtinë të Kosovës, ajo që i bashkon brunen dhe bionden e muzikës është viti i lindjes dhe mosha e njëjtë.
Pra, të dyja kanë festuar 53- vjetorin, ndërkohë që duken ende si 30 vjeç. Eli ndodhej në Frankfurt dhe mbrëmjen e ditëlindjes, miq dhe të afërm e surprizuan për të festuar së bashku. Ishte vetë Eli që publikoi në profilin e saj në “Instagram”, video të momentit të shuarjes së qirinjve në tortë, ndërkohë që të pranishmit i këndonin “Shumë urime për ty!” “Frankfurt, gëzuar ditëlindjen për mua. Kohë me familjen”, shkruante Eli pranë videos.
Ndërkohë, vajza e saj, Marina Fara, bëri një dedikim mjaft të bukur në “Instagram”-in e saj, teksa publikoi një foto të vjetër që puthet me Elin, duke shkruar: “Jeta ime ka nisur duke parë dhe dashuruar fytyrën tënde, ti je kuptimi i plotë i fjalës dashuri… në këtë botë egoiste je i vetmi person që dëshiron vërtet lumturinë time, më fal që nuk kam bërtitur çdo ditë ‘Mami të dua’. Faleminderit për mbështetjen tënde të pashtershme që kurrë s’u lodhe, për vuajtjet që të kam bërë të kalosh dhe lotët që ke derdhur pas zgjedhjeve të mia të gabuara, për përqafimin që më jepte shpresë se çdo gjë do bëhej mirë. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë apo të shprehë dashurinë time për ty, veç i lutem Zotit në këtë ditë të ditëlindjes tënde të të ruajë çdo ditë të jetës tënde e të të japë shëndet, o dashuria ime më e madhe të uroj të bëhesh 100 vjeç. Të duaaaa mam pafund”, shkruan Marina bashkëngjitur fotos.
Ajo gjithashtu publikoi edhe videon, ku i bënin surprizën këngëtares, shoqëruar po ashtu me një dedikim: “Shpirt i motrës ti! Të bëhesh 100 vjet mam, të dua!” E për të gjithë ata që pyesnin poshtë videos për moshën e Elit, ja ku po ua themi që ajo ka lindur në vitin 1967 dhe sapo mbushi 52 vjeç.
Njësoj si Eli, që nuk i tregon fare vitet që ka mbi supe, duket edhe Gili. Këngëtarja shumë e pëlqyer nga publiku, Fevzije Konushevci Berani, e njohur si Gili festoi po ashtu 52-vjetorin e lindjes në Kosovë. Përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social “Instagram”, Gili tregoi se ajo festoi me disa këngëtarë të njohur si: Shkumbin Kryeziun, Mimoza Mustafën, Vjollca Haxhiun, Ganimete Abazin dhe Malësorin. Në fotografi shihej dhe bashkëshorti muzikant Ilir Berani, i cili dje, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka lënë një mbishkrim urimi për bashkëshorten e tij, Gilin.
“Urime ditëlindjen zemër! I gëzofsh të gjitha të mirat e kësaj bote! Jeto e lumtur me neve! Të dojnë shumë Lili, Roki dhe Doni”. Gili është ndër këngëtaret më të njohura dhe më të dashura, pjesë e skenës muzikore që nga vitet ‘80. Bashkëpunëtori më i madh i saj është bashkëshorti, Ilir Berani, me të cilin ka punuar që nga fillimi i karrierës dhe i cili i ka bërë shumë hite që janë dëgjuar dhe dëgjohen vazhdimisht.
Gili dhe Iliri u martuan në vitin 1990 dhe janë prindër të dy djemve, Roberit dhe Redonit. Pak javë më parë, ajo deklaroi se humbi disa kilogramë dhe rezultati është perfekt, siç shihej në festën e ditëlindjes, ku kishte veshur një kostum të kuq elegant.