Vedat Ademi: Arsyeja pse i këndoj dashurisë së humbur, edhe pse jam i martuar
Dy vite pas vendosjes me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këngëtari Vedat Ademi vazhdon të publikojë klipe të xhiruara në rrugët e metropolit të botës, duke sjellë magjinë frenetike të New York. Pas dy klipeve në distancë “Bën ftohtë” dhe “Më mirë me zemër”, ai ka publikuar këngën me titull “Oqean”, një dedikim për dashurinë që dhemb. Për jetën mes Shqipërisë e SHBA-ve, familjen e lumtur si baba i dy fëmijëve dhe gjithçka që ndodh në jetën e një artisti në karrierë, që çudit me fizikun tashmë prej modeli, Vedati i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
“Oqean” klipi yt më i ri. Si është për një artist të martuar t’i dedikojë këngë një historie dashurie që mbahet e fshehtë?
Klipi më i ri, projekti më i ri “Oqean” është dedikim dashurie dhe një thirrje për dashurinë me sakrificat e saj të mëdha sa një oqean. Me tekst të Pandi Laços besoj se është arritur t’i japë një gjendje të ndjerë muzikës së kompozitorit Endrit Shani. Projekti nuk ka lidhje me artistin e martuar. Unë i këndoj dashurisë dhe hyj në rolin e atij projekti për të interpretuar atë ndjenjë.
Nuk është hera e parë që i këndon dashurisë si trofe e fituar. Por kur i këndon si trofesë që e ke humbur, ndodh të pëlqehet më shumë nga publiku?
Ndoshta kombinimi i muzikës dhe tekstit, sikurse përmenda, kanë çuar në një histori të humbur më shumë sesa të fituar. Mund të ketë qenë rastësore, por ka të bëjë kryesisht me baladat.
Jeton në New York dhe vazhdon e publikon këngë në gjuhën shqipe. Ende të intereson tregu shqiptar i muzikës, që nuk i realizon këngët në gjuhën angleze?
Tani në një botë globale nuk ka rëndësi se ku jeton. U bë vite që artistët jetojnë në Itali, Greqi e të tjera vende dhe ofrojnë muzikë për tregun shqiptar. Unë mund të bëj këngë në gjuhën angleze, por fakti që vazhdoj e këndoj shqip është e rëndësishme, pasi atij vendi i përkas. Në gjuhë të huaj, do të jetë e huaj dhe synon të arrijë dhe dëgjues të huaj. Nuk fokusohem te tregu sesa tek fakti se çfarë dua të bëj në muzikë e bëj dhe nuk pres të jem në qendër të tregut shqiptar.
Një këngëtar që le jetën këtu dhe vendoset shumë larg. Pyetja që mund të lindë është se jetoni në SHBA vetëm me paratë e fituara nga muzika?
Nuk e di për të tjerët. Unë personalisht vazhdoj të merrem vetëm me muzikë, pastaj unë kam udhëtuar shumë shpesh për koncerte në Shqipëri, Kosovë e Diasporë, dhe në Amerikë e Kanada sigurisht, domethënë aktiviteti im i koncerteve ka qenë gjithëpërfshirës.
Je vendosur përgjithmonë në SHBA, apo ke plane për t’u rikthyer sërish?
Jam midis të dyja vendeve. Nuk i dihet planeve se ku, sigurisht ku të jetë më mirë për familjen. Shtëpinë në Tiranë e kam akoma.
Realizimi i klipeve në New York është në vetvete luksi që shumë këngëtarë do e dëshironin. Sa kushton një klip i realizuar në New York?
Sigurisht, New York-New York është një vend i kërkuar nga shumë artistë si metropol i gjithë botës. Jetesa është e shtrenjtë, kështu edhe çdo gjë tjetër që vijon është e shtrenjtë. Gjithsesi, një anë kryesore është ajo e mbështetjes që kam nga miqtë e mi, në veçanti Agron Jashari, i cili e ka pasion fotografinë dhe po eksperimenton edhe me videot, gjithashtu.
Pak javë më parë, Sabri Fejzullahu hapi debatin për klikimet e blera, ku u konfliktua në distancë me Flori Mumajesin. Ti si e ke ndjerë veten në këtë debat, mendon se ekziston një lojë e pistë, ku disa shtojnë klikime vetëm duke i blerë?
Nuk e kam ndjekur këtë debat, por sigurisht, duke parë se ky trend nuk po ndryshon, do të duhet të themi haptas që në Shqipëri kjo është e modës. Unë jam shprehur për këtë gjë ndoshta më pak se të tjerët, por tashmë, artistët po vlerësohen nga klikimet dhe jo nga muzika apo vlerat që sjellin. Në rastin e Sabriut dhe Florit nuk është ky trendi sepse të dy ata kanë një karrierë përtej klikimeve, kur ato nuk ekzistonin.
Dueti që ke projektuar në mendjen tënde, me cilin artist mund të jetë?
Çdo këngë ka veçantinë e vet, por në duet duhet gjetur personi që i shkon asaj kënge. Dueti ka vlerën dhe fuqinë në zërat e prezantimit të dy këngëtarëve, kështu përgjigja është e përgjithshme, pasi, për momentin, nuk kam një duet, por s’i dihet si rrjedhin gjërat.
Sa i përket jetës private, duket se keni një familje të bukur me dy fëmijë. Është në planet tuaja zgjerimi i familjes me të tjerë fëmijë?
Në disa intervista kam thënë që dua të kem një familje të madhe, por kam bërë shpesh shaka duke ngacmuar Dorelën se do të bëj shumë fëmijë meqë jam nga Kosova. Edhe pse i dua shumë fëmijët, nuk mendoj se është kollaj të rrisësh fëmijë dhe të jesh me ta për kohën e nevojshme derisa ata të rriten. Fëmija dhe familja kanë sakrificat e veta. Jam falënderues që kam dy fëmijë e mos të lëntë Zoti pa fëmijë, thonë më të vjetrit! Unë jam i bekuar!
Të mbash trupin në formë pas dobësimit thonë që është sakrifica më e madhe. Ti si ia del?
Çdo gjë ka sakrifica. Nuk është më e vështirë, pasi është e përditshme kujdesi dhe koha për palestër. Kur dalim me shoqëri ose jemi në ndonjë restorant të mirë, nuk kufizohem nëse më pëlqen diçka. Ushqimi është gjithmonë kënaqësi. Por pastaj vijon java që mblidhem./Panorama Plus