Stilisti Ardi Asllani: Jonida Maliqi në Eurovizion elegante për t’u zhveshur me sy e imagjinatë

Me frymë klasike dhe respektues i linjave femërore, për stilistin e njohur Ardi Asllani një veshje shik duhet t’i lërë vend imagjinatës. Dizenjuesi i modës së lartë është përzgjedhur për të krijuar veshjen e Jonida Maliqit, këngëtarja që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 64-ët të Festivalit Europian, që këtë vit organizohet në Izrael. Në provën e parë të këngëtares, padyshim, ra në sy veshja që do ta ketë edhe gjatë performancës skenike, ku do të shoqërohet nga Wendi Mancaku, Artemisa Mithi dhe Tiri Gjoci. Nisur nga veshja e kategorisë “Etno fashion”, ku bien në sy elementët e artë të filigranit të punuara të gjitha me dorë, Ardi në këtë intervistë për “Panorama Plus” zbulon një prapaskenë shqiptare si pjesë e Festivalit Europian.

Jonida-Maliqi-2

Nuk është hera e parë që krijimet e tua vishen nga vajza të njohura. Për çfarë e vrave mendjen më shumë kur u ule të punoje veshjen e Jonida Maliqit dhe shoqëruesve të saj në skenën e Eurovision?
E para, pa diskutim ishte të ndihej Jonida rehat dhe sigurisht, më e rëndësishmja, që të kishte një fill logjik midis këngës dhe veshjes. Më duhet të shtoj, të punosh me Jonidën është një tjetër dimension, ajo fal dashuri të pakushtëzuar gjatë procesit dhe të jep besim.

Duke u nisur nga fabula e këngës që i dedikohet lidhjes shpirtërore me tokën, u përpoqe ta theksoje këtë ide apo ta anashkaloje për të sjellë një tjetër dimension?
Fillimisht, menduam të shkonim në të kundërt të idesë për të krijuar kontrast, por duke parë që kënga krijoi një lidhje shumë të madhe shpirtërore jo vetëm me shqiptarët, por dhe të huajt që e dëgjonin, bashkë me autorët e këngës vendosëm ta theksonim “etnikën” që ka kënga. Kjo për faktin sepse kënga ka gjithçka shqiptare brenda që nga “majë krahu” i veriut, deri te iso-polifonia e jugut dhe duke e veshur si imazh me diçka autentike, gati epike!

Jonida njihet për stilin personal, në Eurovizion do e shohim më afër vetes apo më larg?
Sigurisht, veshja është krijuar me Jonidën në sfond dhe pashmangshmërisht stili i Jonidës do të jetë i ndërthurur me stilin etnik, të ardhur këtë herë nëpërmjet elementëve të artë të filigranit, të punuara mjeshtërisht gjithçka me dorë nga mjeshtri argjendar Pirro, gjë që i jep një vlerë të shtuar kësaj veshjeje!

Jonida-Maliqi-3

Duke u nisur nga veshjet e këngëtarëve që ngjiten në atë skenë vit pas viti mendon se tërheq më shumë eleganca apo ekstravaganca?
Në këtë rast gjen vend shprehja, sipas vendit bëhet kuvendi… sepse në një këngë ekstravagante nuk mund të shkosh me një veshje elegante dhe e kundërta! Di të them që në këtë vit do të prezantohemi me një veshje elegante dhe plot mesazhe brenda ashtu siç është dhe kënga.

Je shprehur se ke provuar të stilosh veshje për diva të vërteta në karrierën tënde. Cilat do të veçoje për shijen e veçantë që kanë?
Nuk e mbaj mend të jem shprehur ekzaktësisht kështu, por meqë e paskam thënë, ja ku po veçoj Jonidën. Ajo është një diva e muzikës dhe stilit, pa diskutim.

I ke parë këngëtarët e tjerë, që konkurrojnë këtë edicion në atë skenë. Kush të tërheq me sharmin skenik?
Kryesisht i kam parë. Ka një shumëllojshmëri stilesh dhe kryesisht janë të ndikuara nga muzika, e cila, siç e thashë më lart,është pararendëse. Ka veshje elegante, pop, trasgresive, folk, etnike, pra, me pak fjalë ka pak nga të gjitha në “ESC 2019”.

Jonida-Maliqi-4

Çfarë është për karrierën e një stilisti firma e tij në Eurovizion. Ti si e përjeton këtë, si kulminacion apo trampolinë për të mbërritur diku tjetër?
Eurovisioni është një tjetër gur kilometrik në punën e çdokujt, dhe kur iu futa kësaj rruge nuk mendova kurrë të mbërrij diku. E vetmja dëshirë, që kisha, ishte të shkoja unison me të gjithë komponentët e tjerë të këngës se, në fund të fundit, kënga është e para, gjithçka tjetër është pjesë plotësuese e saj.

Disa nga karakteristikat e modës tënde që do i shohim dhe në Eurovision?
“Etno fashion” do të jetë kategoria ku mund të klasifikohet kjo veshje në Eurovision. Motivet etno-epike do të thërrasin për kthim, kthim te rrënjët, kthim te toka.

Nga e bardha tek e zeza, cilat janë ngjyrat që për ty shprehin më shumë botën e vërtetë të një artisti?
Ngjyrat janë gjendja emocionale e një artisti, kështu që dallimi midis tyre nuk gjen vend. Por sigurisht ka preferenca, të cilat, duam apo nuk duam, ndikojnë në konceptimin e një veshjeje. Unë jetoj midis ngjyrave neutrale, jo tepër të forta!

Në këndvështrimin tënd, çfarë veshje duhet të ketë femra e bukur prej teje, që të arrijnë ta zhveshin me sy dhe çfarë në rastet kur duhet ta zhveshin me duar?
Eleganca, sensualja janë dy elemente që të mbajnë larg vulgaritetit. Dy të parat zhvishen me sy e imagjinatë, ndërsa vulgariteti është i zhveshur vetë dhe s’lë më vend për të menduar./Panorama Plus