Jonida Maliqi shkëlqen në tapetin portokalli të “Eurovision”, tërheq vëmendjen veshja e saj
Mbrëmjen e sotme Tel Aviv ka mirëpritur në një ceremoni gjigande 41 këngëtarët, të cilët do të përfaqësojnë vendet e tyre në “Eurovision”. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit artisët dhe delegacionet e tyre përkatëse kanë parakaluar në një tapet portokalli. Në ceremoni ishte e pranishme edhe Jonida Maliqi, e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë me këngën “Ktheju Tokës”. Si gjithmonë, Jonida arriti të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve me veshjen e saj, e cila mbarte një kuptim shumë të veçantë.
Këngëtarja shqiptare kishte veshur një fustan ngjyrë blu, i cili në një pjesë kishte të gjitha ngjyrat e ylberit. “Nëse jeta është blu mund të zgjedhësh një tjetër ngjyrë nga ylberi. Ne po e shijojmë “Eurovision” dhe jetën, sepse jeta është si ylber”, ka shpjeguar Jonida domethënien e fustanit të saj.
Ndër të tjera ajo ka shtuar se ndjehet e lumtur dhe krenare qe do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e madhe të “Eurovision”. Kujtojmë se Jonida do të ngjitet në skenën e festivalit europian në gjysmëfinalen e dytë në 16 maj dhe pjesa më e madhe e sondazheve tregojnë se ka shumë mundësi që ajo të kalojë në finale. /revistawho.com