Irma Libohova u drejtohet kolegëve: Nuk jemi këtu për t’u rrjepur njerëzve skalpin me pagesa të majme
Pak ditë më parë Irma Libohova publikoi këngën e saj më të re ‘Peng’ në bashkëpunim me artistin e ri, Rei Bezhani. Pavarësisht se të dy janë të ndryshëm në stil, kënga u prit mjaft mirë nga publiku. Ditën e sotme Irma dhe Rei ishin të ftuar në emisionin “Trokit”, ku kanë zbuluar më shumë rreth këtij bashkëpunimi. Ata kanë treguar se njiheshin më parë me njëri-tjetrin dhe prandaj erdhi dueti mes tyre. Irma dhe Rei kanë treguar më shumë rreth profesionit të tyre, nëse paguhen shumë apo jo dhe nëse do të pranojnë bashkëpunimet me artistë të ndryshëm shqiptarë.
Gjatë lojës “Po-Jo” Irma ka treguar se edhe paguhet, edhe s’paguhet shumë nga muzika, duke gjykuar faktin se nuk bëhet fjalë vetëm për pagesa, por edhe për kënaqësinë e publikut. Me këtë rast ajo vendosi t’ju bënte edhe një thirrje të gjithë artistëve që kërkojnë shuma të majme në koncerte. “O artistë, nuk jemi këtu për t’ju rrjepur njerëzve skalpin. Jemi për t’i kënaqur, vërtet e kemi punë, por ka logjikë, ka konsensus”, – është shprehur Irma. Ndër të tjera ajo tha se do të pranonte të bashkëpunonte me Noizyn, Encën, Tunën, Elvanën, Ylli Bakën, sepse sipas saj nuk e kanë fituar pa punë suksesin që kanë. Irma Libohova ka rreth 40 vite në skenën shqiptare dhe falë punës së saj të palodhshme vazhdon të mbetet një ndër këngëtaret e preferuara të publikut shqiptar. /revistawho.com