Art Abazi: Martesë me një artiste? Do të ishte…
Këngët e tij janë arratisje shpirtërore për të gjetur qetësinë larg zhurmës metropolitane e për të dëgjuar më qartë zërin tënd të brendshëm. Pas klipit “Asnjo si ti”, Art Abazi po përgatitet të marrë vendimin e jetës, ose të hyjë fuqishëm në tregun shqiptar, ose ta konsiderojë atë një kapitull të të shkuarës. Për muzikën e vërtetë, jetën në familjen e artistëve të njohur nga Prishtina, raportin me vëllain muzikant Drenin e motrën modele Rinën, marrëdhënien me femrat dhe planet që do e përmbushin si këngëtar i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Duket sikur në muzikë je për qejfin tënd dhe jo për komerc. Pse ke vendosur t’i qëndrosh besnik vetes si artist?
Hmmmm! Kësaj here më duhet të jap një shpjegim më të mirë dhe njëkohësisht më të sinqertë, jo vetëm për faktin që më keni nderuar gjithmonë me kujdesin që keni treguar ndaj një artisti modest, por sepse ashtu e ndjej… Atëherë, pavarësisht faktit që nuk kam pasur dhe nuk do të kem kurrë qëllime financiare nga muzika, unë do të ndihesha i përmbushur nëse do të arrija t’i realizoja dy këngë në muaj, por kjo nuk ka ndodhur për shumë arsye.
Dhe cilat janë këto arsye?
Së pari, është një klimë artistike kaq demotivuese sa nuk di si ta përshkruaj ndryshe… Pastaj, thënë sinqerisht, të realizosh një projekt muzikor do të thotë që duhet të jesh i përgatitur edhe financiarisht për të mbuluar një kosto mjaft të konsiderueshme e që realisht unë nuk e kam pasur. Por nuk e di, ndoshta edhe ka munguar këmbëngulja ime mbase për të arritur deri te qëllimi im. Por, si përfundim, i kam premtuar vetes që ky vit do të jetë vendimtar sa i përket muzikës sime. Kam vendosur, ose do e dëgjoj pasionin brenda meje, ose muzika do t’i përkasë së shkuarës.
Pas klipit të fundit që ishte si një arratisje shpirtërore dedikuar dashurisë, si do të jetë kënga jote e re?
Në fakt, tani në fillim të prillit e kemi një takim të përbashkët me maestro Gent Myftaraj dhe Erkand Shabanin nga Onima Media-Imagine Films, me të cilët do të vendosim për një bashkëpunim afatgjatë dhe planin e publikimeve muzikore. Më duhet patjetër ta them që janë pikërisht këta dy persona, të cilëve do u qëndroj besnik për sa kohë bëhet fjalë për muzikën dhe jo vetëm.
Kitara është shoqëruesja jote më e mirë. A mendon se kjo vegël muzikore është e duhura për vetmitarët dhe të tërhequrit nga bota e zhurmshme?
Kjo absolutisht qëndron, por pasuria më e madhe do të ishte nëse përmes kitarës dhe tingullit tënd arrij të bashkoj njerëzit.
Ti shkruan një këngë dashurie nisur nga gjendja e momentit, apo e kërkon dashurinë nëpërmjet këngës?
Unë i shkruaj këngët (kur i shkruaj), duke u bazuar në copëzat e historisë sime dhe dashuria, për mua, vjen në momentin kur dikush e shijon momentin me muzikën time në sfond (siç e thashë edhe me përpara).
Meqë ra fjala, ky Shën Valentin të gjeti çift?
Fatmirësisht, asnjë Shën Valentin nuk e kam pritur i vetëm. (qesh) Gjithmonë i rrethuar me njerëz të mirë dhe të dashur.
Kjo do të thotë që je tip i qëndrueshëm në marrëdhënie me vajzat, të pëlqejnë lidhjet e gjata apo flirtet?
Jam bërë njeri serioz përfundimisht!
Në një intervistë të fundit, vëllai yt, po këngëtar, Dren Abazi, u shpreh se ti dhe motra Rina jeni më të lidhur me njeri-tjetrit. Është e vërtetë?
Ou?! Kështu paska thënë Dreni?! Sa mirë, m’i bëni të fala Drenit shumë! (qesh)
Si mund të jete ai djali që ti do i besoje në altar motrën modele?
Hmmm… djali që do i besoja motrën? Huh! Së pari, e rëndësishme është që unë i besoj vetë Rinës e sa i përket djalit mjafton që ai ta ketë raportin me motrën e tij së paku të përafërt me raportin Art-Rina dhe jemi në rregull. Besimi nuk do të diskutohet pastaj!
Në krahasim me Drenin, kush është më i vështiri nga natyra, pra, tipiku i artistit egocentrik?
Dreni është dyfish më i vështirë se unë, por pa qenë asnjëherë egocentrik.
Ti do të martohesh me një artiste, apo ato s’do i zgjidhje për të kaluar jetën?
Do ishte plus i madh po të ishte artiste partnerja e jetës. Pse? Hmmm… Vetëm dëme nuk mund të ketë nga një njeri që është i lidhur me Artin.
Meqë të pëlqen të lexosh letërsi, si do e titulloje biografinë e jetës tënde?
Do e titulloja “Tregime për kecin bardhosh” (qesh). Mbase ti do e kuptosh fatin tim!/Panorama Plus