8 vite pa të atin, Agnesa Vuthaj prek me fjalët: Do vazhdojmë të jetojmë për të të bërë krenar
Agnesa Vuthaj i ka kushtuar fjalët më të ndjera babait të saj, që u nda nga jeta 8 vite më parë. Në përvjetorin e largimit të tij, ish-Miss Shqipëria ka gjetur fjalët më të ndjera për ta kujtuar, sot publikisht dhe çdo ditë me mendje dhe zemër.
“Babë, të kujtojmë me mall e dashuri çdo ditë, çdo javë, muaj e vite që janë aq të gjata nga malli që ndjejmë për ty, por aq pranë nga dhimbja që ndjejmë thellë në zemër, edhe kur buzëqeshim në fytyrë! 8 vjet pa ty më mësuan të përballoj çdo sfidë në jetë me kokën lartë, siç përballuam ikjen tënde nga kjo botë; duke mbajtur vath në vesh shprehjen që thoje gjithmonë: “Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”! U mësuam të jetojmë pa praninë tënde, por mësuam të vlerësojmë më shumë praninë e familjarëve dhe dashamirësve që kemi në jetë. Mësuam të jetojmë e vlerësojmë momentin, sepse asgjë s’është e përhershme… Por në kujtimet tona ti do jesh përherë aty, i buzëqeshur e i dashur, udhërrëfyes ideal, shembull i mirësisë, respektit dhe dashurisë për familjen e miqtë, për 47 gjeneratat që u edukuan nga ti, për të gjithë ata që të njohën dhe flasin me krenari për gjurmët që ke lënë në jetën e tyre, të kujtojnë si udhërrëfyes të idealit shpirtëror, familjar e kombëtar! Do vazhdojmë të jetojmë për të të bërë krenar, deri në takimin tonë të ardhshëm! Të ndjej aq pranë Babë, sikur kur të kam bërë këtë foto në udhëtimin tonë të fundit bashkë! 18.03. 2011. #inlovingmemoryofmyfather”,-u shpreh Agnesa, krahas fotos së babait.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që bukuroshja e ekranit kujton personin e rëndësishëm të jetës së saj. Humbja e babait duket se do të jetë një plagë që nuk do shërohet kurrë dhe të gjithë miqtë dhe familjarët më të afërt të Agnesës e ndjejnë po njësoj. /revistawho.com