Dafina Zeqiri e pafat në dashuri, bën klip historinë e fundit dyvjeçare që përfundoi me ndarje
Këngëtarja e famshme kosovare Dafina Zeqiri ka publikuar këngën e saj të re me titullin “A e man n’men”, ku rrëfen historinë e saj të fundit të dashurisë me djalin nga Republika Domenikane Joze që përfundoi me ndarje.
Disa muaj pasi lidhja dyvjeçare mori fund, Dafina në prag të 30-ave ka vendosur ta tregojë me fakte fatin që ndihet e pafat në dashuri, edhe pse një nga frazat më të komentuara të tekstit të këngës është deklarata e saj: “Unë nuk të dua më”, që do të thotë se ajo tashmë e ka harruar.
Kënga e publikuar dje nga Dafina vjen shumë ndryshe nga klipet e fundit në të cilat e kemi parë. Kjo histori dashurie, e shfaq Dafinën sensuale dhe tejet atraktive në të njëjtën kohë, ndërsa eksperimenton stile të ndryshme flokësh. Bëri përshtypje fakti që, përveçse e kuruar në maksimum, Dafina shfaqet e zhveshur në skenat e klipit ku dominon ngjyra e kuqe.
Melodia e këngës është punuar në bashkëpunim me Varrosin dhe Arianit Palaj, të cilët kanë krijuar dhe vargjet bashkë me Akil Beqirin. Në një skenë të videokipit, Dafina ka rrëmbyer vëmendjen me paraqitjen, pasi shfaqet e mbuluar vetëm nga petalet e trëndafilave, një simbolikë e romancave të bukura në kulmin e tyre.
E duket se momente të tilla të bukura Dafina ka përjetuar plot me ish-të dashurin, për të cilin po sjell këtë këngë pas asaj me titull “Alo”. Vetë ajo njoftoi fansat në “Instagram” pak kohë më parë, se kënga bën fjalë për një histori dashurie, por miqtë e afërt zbuluan se bëhet fjalë për historinë e saj personale. Ky klip do i hapë rrugën një turneu që ajo ka planifikuar me koncerte në Kosovë e Shqipëri.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dafina Zeqiri fillimisht mbajti lidhje në distancë me djalin simpatik nga Republika Domenikane. Dafina u përfol që në janar të 2018-s për ndarjen nga i dashuri Joze, që më pas u konsiderua thjesht si një krizë. Shkak për krisjen mes tyre u bë afrimiteti i saj me muzikantin nga Maroku, French Monana-n, i cili ishte imazhi i klipit të saj “Four Seasons”.
Kujtojmë, që pas ndarjes nga i dashuri, ajo nisi të shoqërohej me Noizyn, me të cilin realizoi klipin “Love” pas rregullimit të marrëdhënies. Lidhja e Dafinës me Jose zgjati dy vjet, që kur çifti u fotografua për herë të parë në vitin 2016 në Stuttgart. Thashethemet e para se ata i kishin dhënë fund bashkë dolën në vjeshtën e vitit që lamë pas. Mediat e Kosovës shkruanin se Dafina ka pasur një përplasje me Josen, arsyeja pse ajo pas përfundimit të turneut nuk u kthye në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu siç kishte planifikuar.
Tashmë, kjo histori e bukur do të mbetet në këngë, ndërkohë që Dafina komentohet si “single”. Sa i përket karrierës, mediat e Kosovës e kanë parë në tjetër këndvështrim rikthimin e saj nga Amerika, duke shkruar se Dafina u kthye sërish në vendin e tregut muzikor që i dha asaj famën.