Sekreti i Xhensila Myrtezaj me Pirro Çakon, sa kohë iu desh të bënte realitet ëndrrën e saj
Shtatë vite më parë, Xhensila Myrtezaj ndau emocionet e skenës me kantautorin e njohur Pirro Çako, duke risjellë në një duet krijimin e tij “Për një çast më ndali zemra” gjatë spektaklit “100 vjet muzikë”.
Kimia që u ndie mes tyre në atë skenë, presim ta shohim dhe në bashkëpunimin e tyre më të ri që pritet ta kthejë Xhensilën në muzikë fuqishëm, pas disa vitesh me një baladë të ndjerë.
Vetë Xhensila ka ndarë me miqtë foton me Pirron, të shoqëruar me statusin “Sekreti im”, që do të jetë titulli i këngës. Sa i përket pamjes, ajo shfaqet me flokë në ngjyrën kafe dhe e kuruar, momente të shkëputura nga xhirimet e të klipit, për realizimin e të cilit ka bashkëpunuar me regjisorin e “Dua të të bëj të lumtur”, Eduart Grishaj.
Duket se për lançimin e këtij projekti muzikor po punon fort i gjithë stafi, pasi ka qenë Eduarti ai që ka postuar foton me këngëtaren, ndërsa shkruante “Pas një dite të gjatë e të bukur xhirimesh, me ylli Xhensila Myrtezaj. Për një super këngë”. Edhe Xhensila nuk qëndron pasive duke e konsideruar Eduartin, “regjisorin e së ardhmes”.
Duket se çdo hallkë e projektit po shkon drejt përfundimit, për të qenë gati për publikun këtë pranverë. Ndonëse ka vetëm disa muaj që është bërë nënë, Xhensila Myrtezaj nuk i ndahet muzikës. Duket se këngëtarja ka zgjedhur që të mos ndërpresë karrierën duke punuar për këtë projekt të ri me Çakon, të cilin po e punon në studion e Darko Dimitrov.
Së fundi, ajo u shpreh për mediat se ky bashkëpunim ka qenë një ëndërr për të që kur ishte e vogël, pasi Pirro sillte hit-e në muzikë. “Po, është një bashkëpunim të cilin e kam ëndërruar që në vogëli. Atëherë kur Pirro Çako këndonte duetet më të bukura me këngëtaret më të mira. Nuk kemi një datë apo ditë fikse se kur do të publikohet kënga, por ne jemi të përfshirë maksimalisht dhe po punojmë fort që ta sjellim shumë shpejt. Di të them që kjo baladë më ka marrë gjithë zemrën”, u shpreh Xhensila për një revistë.
Dhe për t’u rikthyer ashtu si duhet, ajo është marrë edhe me fizikun, duke u ushtruar rregullisht në palestër për të rifituar linjat para lindjes së vajzës. Xhensila u bë nënë për të herë të parë në korrik 2018, pas martesës me aktorin e humorit Bes Kallaku. Edhe pse ka munguar në skenë, Xhensila ka qenë prezente në rrëfimet e Besit në ekran, gjatë rubrikës së humorit në programin “E diela shqiptare”.
Nëpërmjet rrëfimeve në vetë të parë, duke replikuar me Olsi Bylykun si i martuari kundër beqarit, ai rrëfen momente nga martesa me Xhensilën, si sillet ajo në shtëpi, kujdesin për vajzën e sapolindur dhe jetën si çift. Nuk kanë munguar as komentet e Xhensilës nga shtëpia, e cila herë pas here jep mendimet e saj në “Instagram” për numrat e Besit, ndërkohë që nuk e fsheh që qesh me lot kur e dëgjon burrin e saj në ekran.