Stefi Prifti: Si po e bëj këngë poezinë që gruaja ime shkroi në shtratin e vdekjes, vajza është kundër martesës së dytë

Thonë se dhembja e bën një artist më krijues, por, për Stefi Priftin, të humbte para kohe bashkëshorten poete ishte fatkeqësia më e madhe e jetës, që e tejkalonte cakun e vuajtjes që të frymëzon. Vetë Marina, në momentet më të vështira të saj, aty ku luftonte me vdekjen, shkroi një poezi, e cila i la atij mbresë të jashtëzakonshme aq sa mund ta konsideronte “hyjnore”. Kështu, as një muaj nga ndarja e saj nga jeta, kantautori u ul dhe shkroi muzikën e atyre vargjeve, këngë të cilën do e publikojë së shpejti në bashkëpunim me Shpëtim Saraçin. Për jetën si baba i vetëm i dy vajzave artiste, pse nuk e sheh martesën e dytë si diellin që do e ngrohë pas stuhisë dhe dilemën për të lënë Shqipërinë bashkë me vëllain Endrin, Stefi i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Stefi-Prifti-2

Me anë të një statusi, pak ditë më parë njoftoje se po finalizoje një projekt të mbetur peng me Shpëtim Saraçin. Për çfarë bëhet fjalë?
Në dhjetorin e para tre viteve (2015), mua më ndodhi fatkeqësia më e madhe e jetës sime, humba bashkëshorten time të ndjerë Marina Xhavara Prifti. Vetë Marina, në momentet më të vështira të saj, aty ku luftonte me vdekjen, shkroi një poezi, e cila më la mbresë të jashtëzakonshme dhe mund të them, që, për rrethanat në të cilat ndodhej, ishte një forcë e çuditshme, mund të them HYJNORE!
Këtë poezi e muzikova shpejt, thuajse një muaj mbasi ajo u largua dhe shumë shpejt kam folur me shokun tim të klasës, mjeshtrin e muzikës Shpëtim Saraçin, i cili më priti në studion e tij dhe menjëherë filluam punën. Ky projekt u ndërpre për ca kohë (edhe Shpëtimi humbi nënën e vet ato muaj) dhe natyrisht ishte e vështirë të vazhdonim! Kënga është e thellë, me peshë artistike dhe impresion të madh emocional! Nuk është kollaj t’i rikthehesh, kur je duke përjetuar humbjen!

Gjatë këtyre tri viteve që kënga mbeti pezull, mund të themi se ishte nga ato këngët që e dëgjoje shpesh në vetmi dhe kur do e shohë dritën e publikimit?
Më pas, siç e dini, Shpëtimi u largua për në Amerike së bashku me familjen e tij dhe kështu projekti mbeti në pritje. Për shumë kohë, as nuk e kam dëgjuar këtë këngë! Duhej të gjeja energji të reja…! Kënga duhej parë artistikisht dhe jo vetëm emocionalisht. Dhe kështu ndodhi! Për fat, Shpëtimi u kthye nga Amerika (mesa kuptoj unë, nuk ia ka qejfi të qëndrojë atje) dhe ne filluam sërish punën për ta përfunduar këtë projekt të magjishëm. Shumë shpejt kënga do të jetë gati. Është një duet me vajzën time të madhe Maria Prifti, dedikim për nënën e saj Marina.

Fakti që zgjodhe Shpëtimin për këngën e dashurisë tënde të madhe dhe të dhimbshme, do të thotë se jeni afër në shijet tuaja muzikore?
Sa u përket shijeve tona muzikore (siç ju pyesni), së pari, duhet t’ju them se ne mbaruam bashkë Akademinë e Arteve, ai për kompozicion dhe unë studioja për violinë. Së dyti, me plot bindje mendoj se Shpëtim Saraçi është një ndër muzikantët që vlerësoj më së shumti në trevat shqiptare, por jo vetëm. Pra, kjo do të thotë se mua më pëlqen shija e tij muzikore. Së treti, me Shpëtimin kemi bashkëpunuar edhe në materiale të tjera artistike si: “U dogja mrekullisht”, një kompozim i imi i orkestruar me mjeshtëri prej tij, “S’dashurova kurrë”, “Në pijetore un’ jam ulur”, etj..
Së treti, unë e vlerësoj shumë për seriozitetin që ka me artin e muzikës. Njerëz të rrallë që nuk punojnë për komercin e shëmtuar të viteve të fundit, por vetëm kur vërtet kanë diçka për të thënë. Se katërti, Shpëtimi dhe unë i përkasim një brezi që ëndërronte lirinë artistike dhe demokratike, por kritike për të bukurën, kritike edhe për të shëmtuarën. Mbi të gjitha, Shpëtimi është një shok i mirë, shumë i drejtë dhe i sinqertë në mendimet e veta, që di të dëgjojë dhe çdo njeri mund të mësojë prej tij. Humori është një nga karakteristikat e veta, si shkodran që është. Më vjen mirë që më krijuat mundësinë të flas sadopak për një njeri kaq të talentuar dhe me vlera!

Stefi-Prifti-3

Në muzikë të shohim të pandarë me vëllain, Endri Priftin. A konsideroni punën tuaj si biznes fitimprurës?
Endri është vëllai im në gjak dhe vëlla në skenë. Deri tani gjithçka e kemi ndarë bashkë. Natyrisht, një profesion sado i bukur dhe i vlerësuar që të jetë, nëse jeton prej tij dhe nëse është edhe dëshira juaj për ta quajtur “punë”, unë mund ta pranoja edhe si të tillë, gjithmonë në kuptimin financiar, duke qenë se ne vetëm këtë “burim” fitimi kemi. Por, muzika në kuptimin e krijimtarisë, interpretimit “live” dhe emocionit që gjenerohet në këtë proces nuk mund të quhet punë. Është një magji, që kanë fatin shumë pak njerëz ta provojnë.

Ju ka ndodhur ndonjëherë që keni dalë në skenë edhe pse s’flisnit pas një zënke?
Ka edhe raste kur rrethana të caktuara të detyrojnë të grindesh apo të mbash mëri. Fakti që jemi “dy” e bën më të mundur këtë si argument. Para pak kohësh ishim në skenë dhe nuk flisnim me njëri-tjetrin. Gjithçka ndodh mes artistësh të vërtetë. Gjithçka.

Deri tani, sa krijime kanë qenë histori apo përjetime personale të Endrit dhe sa të tuat?
(qesh) 3-4 për secilin. Nuk jam shumë i sigurt për momentin. “Do vazhdoj të flas” – Endri; “U dogja mrekullisht” – unë; “Kënga e fundit” – Endri; “Një i tretë kam mbetur”- unë, etj..

“Për ty” është një nga këngët e tua të bukura që sapo ke ripostuar në rrjetet sociale. Kujt i dedikohet dhe ç’vend zë në repertorin tënd ky krijim?
“Për ty” është një këngë ritmike me tekst dhe melodi të bukur. Fakti që edhe këtë tekst e ka shkruar Marina dhe më dedikohet mua, më bën të jem i ndjeshëm ndaj saj. Kjo këngë u interpretua nga ne te “Kënga Magjike 2016”.

Stefi-Prifti-4

Jashtë skenës shohim që poston shpesh foto me dy vajzat e tua. Si i ke marrëdhëniet me to tani që je prind i vetëm?
Këto tri vitet e fundit kam qenë shumë i lidhur me vajzat e mia, Maria dhe Joana, dy zemrat e mia. Jam krah tyre çdo moment dhe përpiqem të bëj edhe gjëra që nuk i kam bërë më parë. Bëj aq sa mundem! Në fakt, nuk është se kam bërë apo postuar shumë foto me vajzat. Janë vetëm pak, por kam vënë re se, kanë shumë impakt te njerëzit dhe këtë e vlerësoj.

E kanë trashëguar të dyja talentin e të shkruarit nga nëna dhe të kënduarit nga babai?
Të dyja kanë shumë talent në muzikë dhe e vogla shkruan nga pak. Për vajzën e madhe Maria jemi në kërkim të audicioneve operistike, brenda dhe jashtë shtetit, me shpresën e madhe se do të krenohem jo vetëm unë si baba, por gjithë Shqipëria dhe kombi ynë. Mbi të gjitha, u uroj shëndet dhe fat të mirë!

Pas ndarjes së parakohshme nga jeta e bashkëshortes, si vazhdon jeta jote, si e motivon veten?
Vajzat dhe muzika kanë qenë motivimi i jetës sime këto vite. Nuk janë vite monotone, por të menduara dhe reflektive. Udhëtimet e shumta dhe njerëzit që na duan kaq shumë, kanë qenë një tjetër motivim për mua. I falënderoj!

Stefi-Prifti-1

Si e përballon vuajtjen dhe çfarë këshillash u jep dy vajzave të tua për jetën?
Njeriu duhet të jetë i fortë. Kështu është jeta, me gëzime dhe hidhërime! Sikur të kishte radhë, ndoshta më mirë për ne njerëzit e paditur do të ishte. Një shok i imi (ah, përsëri Shpëtimi) më tha një shprehje shumë të bukur! “E thirri… e thirri Ai…” Pra, kur të thërret Zoti, ne njerëzit jemi krejt të pafuqishëm! Nuk i dimë planet e Tij dhe prandaj nuk e kuptojmë pse nuk ka radhë për të lindur dhe për të vdekur.

Do jetë martesa e dytë një diell pas stuhisë në jetën tënde?
(Qesh) Jo… thotë vajza ime e vogël, Joana.

Pak kohë më parë, Endri deklaroi se po planifikonte largimin nga Shqipëria. E ke menduar dhe ti dhe ku do të dëshiroje ta jetoje pjesën tjetër të jetës?
Një dilemë e mbetur në tentativë./PANORAMA PLUS