Hodhi Instagramin në erë për të dashurën/Rezart Veleshnja: Më futën në kurth, ç’po ndodh mes meje e Lorenës
E konsideron të gjithë këtë histori që bëri bujë në media, si rënien në një “kurth virtual” apo zgjimin nga një ëndërr e keqe ndërsa po fluturonte me avion për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktori i shumë roleve të spikatura në spektaklin e humorit “Portokalli”, kësaj here provoi shakanë më të hidhur që mund t’i bënte jeta në këtë moment kulminant të karrierës si artist. Disa postime nga profili i tij Instagram, ku akuzohej për “tradhti” e dashura e tij Lorena Murati, bëri që rrjeti të ziente për të, duke qenë se një personazh publik po merrte guximin të fliste publikisht për një ndodhi personale që askush s’do merrte guximin ta bënte; pra të degjeneronte të dashurën, pas zbulimit të tradhtisë”. Kjo ishte gjithçka çfarë ndodhi në skenën e Instagramit këtë herë, por si gjithmonë pas çdo skene ka edhe një prapaskenë. Çfarë ndodhi realisht në 14 orët e postimeve në Instastory-n e Instagramit të Rezit kur ai sapo kishte lënë Shqipërinë nga aeroporti i Rinasit, kush e futi në kurth dhe si vazhdon historia e tij tashmë me Lorenën ai i rrëfen ekskluzisht për “Panorama Plus”. Nga Amerika, Rezi sqaron intrigën e një personi anonim, preja e të cilit ai ra. Sipas Rezit, personi në fjalë bënte lojë të dyfishtë, pasi ndërkohë që kishte hakuar fillimisht profilin e Lorennës, kishte sajuar komunikime mes tij dhe Lorennës, të cilat më pas ia dërgonte Rezit. Ndërkohë që Rezi komunikonte privatisht me të, dhe i dërgonte video private, ai këto video i priste dhe i postonte në Instagramion e Rezit, pasi ia kishte hakuar. Rezi tregon se gjatë këtyre orëve nuk po lidhej dot me Lorenën në Whatsapp, dhe vazhdonte të komunikonte me këtë të panjohur virtual, i cili e futi në kurth ndërkohë që i kishte marrë edhe Instagramin. Vetëm pasi arriti të komunikonte me Lorenën, ajo i tregoi se dhe Instagrami i saj ishte hakuar dhe bisedat e saj me djem të tjerë ishin bërë nga hakeruesi.
Rezi: Dashakeqët sajuan këtë intrigë, por tashmë lidhja ime me Lorenën është më e fortë
Ndërkohë vetë Rezi, i cili ndodhet ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehet kështu për “Panorama plus” rreth kësaj historie: “Përsa u përket videove dhe shkrimeve të postuara në Story-n tim të Instagramit gjatë 14 orëvë të udhëtimit tim, Instagrami im u hakua sikurse dhe Instagrami i Lorenës kishte qenë i hakuar pesë orë më përpara, por që unë nuk isha në dijeni. Lidhur me atë që ndodhi ajo është jeta ime private dhe në jetën time private nuk ka të drejtë të ndërhyjë asnjë, ashtu si dhe unë nuk ndërhyj në jetën private të dikujt. Ajo që ndodhi ishte një akt i shëmtuar i bërë nga disa njerëz që nuk kanë punë, janë të papunë dhe kanë dashakeqësi brenda shpirtit të tyre. Për këta lloj njerëzish unë kam lënë Prokurorinë, e cila ka filluar punimet dhe ka filluar të kryejë punët e saj. Në lidhje me jetën time do të kisha shumë dëshirë që të gjykohesha për jetën time artistike dhe jo atë private. Por mbi të gjitha ajo që më vjen keq është që këta dashakeqët mirë që merren me njerëzit publikë, por merren dhe cenojnë dhe jetën private të njerëzve që nuk janë publikë. Dhe akoma më keq i dëmtojnë ato pa qenë të njohur, siç është rasti i Lorena Muratit, që është një vajzë e shkëlqyer, që unë kam marrëdhënie të shkëlqyera, ka një familje të shkëlqyer, dhe që unë kam 20 vjet që e kam komshie”, tha ai. Po si është lidhja e tij aktualisht me Lorenën pas gjithë kësaj që ndodhi? “Ajo që është kryesorja është se marrëdhënia jonë është bërë më e fortë, pra kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Ajo që do të doja është që këtë histori t’ia lëmë në dorë vetëm Prokurorisë, pjesa tjetër nuk na intereson më!”, përfundon Rezi për Panorama Plus.
Tradhtia e sajuar dhe “tërmeti” në Instagramin Rez Veleshnjës
Po cila ishte historia e pasqyruar në media, dhe mesazhet që hodhën në erë Instagramin e Rez Veleshnjës? Vetëm tre ditë më parë bënë bujë të madhe deklaratat e aktorit të “Portokallisë”, Rezart Veleshnja, i cili akuzonte të dashurën e tij për tradhti në Instagram. Në “Instastory”-t e tij u publikuan disa mesazhe që dëshmonin tradhtinë e partneres së tij me katër djem të tjerë. Këto mesazhe përmbanin fyerje dhe ofendime kundrejt të dashurës. “Bota është e mbushur me plehra. Edhe e forta është që e di kush është ai hallexhiu që i shkon pas! Ta dijë ai i mjeri…Faleminderit të gjithëve për mbështetjen por s’kam ç’bëj me një që mban 4 përnjëherë! Mjerë ai që bën si mjeshtër dhe mendon se e ka vetëm ai! Ahahhaa.” , shkroi Rezarti në postimin ku zbuloi se madje i kishte blerë dhe një unazë diamanti 8 mijë dollarëshe. Ky ishte skena nr.1 e ngjarjes, për t’u përmbysur totalisht nga skena nr .2. Një ditë më vonë Rezi reagoi sërish në profilin e tij në “Instagram”, duke fshirë të gjitha postimet e mëparshme, e duke u shprehur se i kishin hakëruar rrjetin social.“Dua të falenderoj menaxherin që bëri të mundur rimarrjen e faqes time të Instagramit. Mua ma kanë hakuar faqen, nuk e di pse i kanë bërë këto pisllëqe. Për momentin jam në Washington, dhe nuk kam pasur lidhje fare me Instagramin. Kam qenë 13 orë në udhëtim. Paska ndodhur kjo dhe jam habitur. I kërkoj shumë falje. Nuk e di kush janë këta dashakeqës që më hakuan Instagramin. Nëse i gjej i kam lënë Allahun dhe policinë! Nuk e di kush i ka përdorur fotot, por unë kam 3 orë që kam zbritur në aeroportin e Ëashingtonit dhe kam ngelur këtu. Nuk di kush ma ka bërë këtë punë. Do ta gjejmë me Prokurori. Nuk e kuptoj interesin e këtyre njerëzve. Turp i madh është!”, u shpreh aktori. E vonë pasi njoftoi se kishte arritur të rimerrte nën menaxhim Instagramin, ai vendosi që të tregonte se marrëdhënia e tij me të dashurën nuk kishte ndryshuar aspak pas kësaj ngatërrese virtale. Në “Instastory” ai publikoi një fotografi që dëshmonte se lidhja e tij vazhdon. Në një screenshot të telefonit të tij celular u pa në cover fotoja e një vajze bionde dhe disa mesazhe dërguar nga numri i regjistruar me emrin “Dashuria”. “Të dua!” shkruante Rezarti në foton e publikuar.
Rezi dhe Lorena, historia e dashurisë që u bë publike para dy muajsh
Aktori i humorit publikoi një foto në fund të nëntorit 2018-të ku shfaqej për herë parë me të dashurën e tij, Lorena Muratin. Rezart Veleshnja postoi në fillim foton në makinë me të dashurën dhe më pas një tjetër teksa e përqafonte, por pa i treguar fytyrën. Statusi i tij ku prezantonte partneren bëri përshtypje vitin e kaluar, pasi as këtë herë nuk e la mënjanë sensin pozitiv të humorit.“Ujku, ujku, ujku u bë nami me portalet, por në fakt kjo është ajo që unë kam ndjekur kam studiuar edhe kam dashuruar tha Sandër mafishja! Tani u bëra vet mafishe pas kësaj! Të dua bebi im!”, shkruante Rezarti krahas fotos të cilën e fshiu disa ditë pasi e postoi, mesa duket i bezdisur nga shkrimet e portaleve. Mirëpo nuk vonoi dhe aktori ndau me të gjithë ndjekësit e tij momentet e ëmbla që po kalonte me të dashurën. Ai publikoi një tjetër foto ku shfaqej duke e përqafuar dhe duke e puthur në qafë, por preferoi që të mos e tregonte fytyrën e saj ndoshta për faktin se Lorena nuk është një personazh publik.