Eni Çobani mes konfliktit gjyqësor të nuses me vjehrrën, intrigat që fshihen pas debatit të bujshëm

Disa ditë para rikthimit të saj në ekran me sezonin e ri “Shihemi në gjyq”, juristja e njohur Eni Çobani është bërë kryepersonazhi i medias, pas një lajmi që erdhi nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës. Çobani, kësaj here në pozitat e avokates, ishte në mbrojtje të klientes së saj, Merushe Makri, e cila ka një konflikt pronësie me ish-nusen e djalit, Rudina Islamaj. Në media u shpërnda me shpejtësi lajmi se Çobani ishte shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës pas një debati, që kishte pasur në seancë gjyqësore me ish-nusen e klientes së saj. Mirëpo, e kontaktuar fillimisht nga “Gazeta Shqiptare”, Eni e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se përkundrazi ajo ka bërë të ditur se në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asgjë nga ato që flitet nëpër media. Juristja e ka konsideruar “skandaloze” një gjë të tillë, ndërsa theksoi se po kthehej në Tiranë dhe se nuk kishte pasur asnjë shoqërim në Komisariat. “E gjitha është një dezinformim. Skandaloze, nuk e di se si ka dalë ky lajm që unë jam shoqëruar në Komisariat. Është një lajm i rremë dhe s’e di se si mund të luhet me figura publike. Unë jam duke u kthyer për në Tiranë dhe një gjë të tillë e kam marrë vesh nga të tretë. Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar një seancë normale dhe nuk ka pasur asnjë gjë nga ato që thonë mediat”, pohoi Çobani. Edhe Policia e Gjirokastrës, e kontaktuar nga mediat, pohoi të njëjtën gjë. Madje, kërkesës për një komunikatë lidhur me këtë ngjarje, ajo iu përgjigj negativisht. Por të tjera media dhanë lajmin se në Komisariat u shoqërua nga forcat “Shqiponja” Eni Çobani dhe denoncuesja Rudina Islamaj për të sqaruar situatën e krijuar në sallën e gjyqit. Por burime jozyrtare pranë Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës e kanë hedhur poshtë këtë version dhe treguan për “Panorama Plus” se nuk figuron asnjë denoncim i tillë nga Islamaj për Eni Çobanin, e cila, sipas disa mediave, u mor në pyetje nga Policia e Gjirokastrës për disa minuta. “I gjithë ky konflikt është nxitur nga Rudina Islamaj, e cila ka kërkuar ndryshimin e trupit gjykues të çështjes, ndërsa ka kërkuar të viktimizohet”, treguan burimet. Të tjerë persona që janë në dijeni të çështjes kanë pohuar se “tendenca e saj për të marrë vëmendje mediatike dhe për të bërë bujë, është konsideruar një bllof”, ndërkohë që ka nga ata që besojnë se “ajo mund të jetë nxitur nga të tjerë persona”, që mund t’i kenë dhënë garanci për të fituar çështjen me ish-vjehrrën”. Kujtojmë që Çobani ka udhëtuar katër herë drejt Gjirokastrës në mbrojtje të klientes së saj, ndërsa Islamaj kishte kërkuar disa herë shtyrjen e gjykimit.

Eni-Cobani-2

KONFLIKTI NUSE-VJEHËRR, DHE MBROJTJA E ENI ÇOBANIT

Në lidhje me këtë histori, deklarimet në media u ndanë në dy palë. Nga njëra anë u komunikua lajmi se nga informacioni i marrë nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër pohohet se ka qenë një seancë normale dhe të tjerë që informuan se juristja Çobani ka dhënë për disa minuta sqarim në Policinë e Gjirokastrës, pasi nusja e klientes së saj e kallëzoi se e ka kërcënuar në sallën e gjyqit. Duke qenë se Islamaj kërkonte ndryshimin e trupit gjykues, citohet të jetë shprehur kështu Çobani gjatë seancës: “Atëherë, edhe një herë i nderuar kryetari i seancës dhe trupi gjykues! Kjo është një zvarritje e padrejtë. Unë kam reagimin tim si përfaqësuese e dy personave, si Merushes dhe Mihalit. Në qoftë se kjo zonja e ka ngjitur me shtëpinë Gjykatën e Apelit, unë vij katër orë nga Tirana dhe në qoftë se kësaj nuk i bën përshtypje, po ia përsëris prapë: Këtu do më kesh! Jo trup tjetër gjykues, por kudo që ta çosh ti, unë do të jem këtu. Unë e kuptoj se për çfarë i bën ti këto. Nuk i bën as për këto zotërinjtë që ke këtu, ti e bën për përfaqësuesin ligjor. Kaq po të them!”.

Kujtojmë se Çobani është avokatja e shtetases Merushe Makri, e cila në vitin 2016 u përfshi në një konflikt me ish-nusen e djalit të saj, Rudina Islamaj. Sherri mes tyre u bë publik edhe në rubrikën “Shihemi në gjyq”, që drejton Çobani, ku vjehrra akuzoi nusen se e kishte rrahur dhe nxjerrë nga banesa. Konflikti në familjen e tyre nisi në momentin që nuk mund të paguanin dot një kredi 70 milionë lekëshe të marrë nga nusja dhe djali i zonjës Merushe./Panorama Plus