Klajdi Musabelliu flet pas largimit nga Shqipëria: “Jetoj në ishull, puna me turistët dhe netët me femra”
Një vit pasi u pushua nga puna pranë Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, këngëtari Klajdi Musabelliu e gjen veten në Itali, pikërisht në ishullin e Liparit ku udhëzon turistët e një resorti. Këngëtari që u zbulua tek “Ethet”, tregon për “Panorama Plus”, jetën e re në Itali mes turistëve nga e gjithë bota dhe si e sheh kthimin në Tiranë pas asaj që i ndodhi.
Prej muajsh je larguar nga Shqipëria për t’u vendosur në Itali. Je duke punuar për ndonjë projekt artistik apo puna jote s’ka lidhje me artin?
Jo, s’kam punuar për ndonjë projekt artistik deri tani, duke qenë se thjesht po punoj me turistët e jam gati të shëtis në ishullin e Liparit. Në Itali kam që në fund të janarit, ndërsa në ishullin e Liparit që nga mesi i muajit maj. Punoj në një resort të mrekullueshëm ku merrem me PR, gjithashtu shoqëroj turistët e shumtë.
Si e more vendimin për t’u larguar nga Shqipëria dhe tani që je aty, mendon se ke bërë mirë?
Nga Shqipëria ika si për pushime e si për të ndërruar pak ambient. As unë s’e di tamam, tamam, po ja që ngeca pak.
Që do të thotë, se mund të kthehesh prapë në Tiranë?
Sigurisht. Unë kurrë s’e mendoja dhe vazhdoj të mos ta mendoj veten time gjithmonë këtej apo jashtë Shqipërisë.
Duke qenë se emri yt u komentua pas largimit të bujshëm nga puna që bëje në administratë. Çfarë shije të ka lënë ajo situatë?
Të them të drejtën, nuk e mendoj më atë episod të shëmtuar, por s’do të thotë se e kam harruar. Por pak nga nervozizmi i asaj çështjeje u nxita që erdha në Itali dhe kuptova që di të bëj shumë mirë edhe profesione të tjera në këtë botë, edhe pse zemra më qan për muzikën, dublimet e Tiranën. Por s’mund të rrija si parazit në Shqipëri apo të prisja të më trokiste fati në derë dhe kështu vendosa veten në provë. Provë kjo që më kushtoi shuuuumë.
Pse të kushtoi?
Po lidhur me gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë, Tiranën, muzikën, miqtë, të afërmit. Gjithçka më mungon, çdo ditë e më shumë. Edhe pse s’jam në vend të keq, prapë s’e imagjinoja kurrë Klajdin jashtë si emigrant apo si një njeri të thjeshtë. Por ja që edhe kjo jetë ka një përqindje lumturie. Edhe pse larg dhe jashtë, ndihem krenar që e fitova këtë sfidë, mbi të gjitha me veten time dhe për veten time.
Duke qenë se në Shqipëri të njohin si këngëtar, si është të jesh askushi në Itali?
Nuk është keq të jesh edhe “askushi”. Por e vështirë për mua sepse unë e dashuroj atë vend, me të mirat dhe të këqijat që ka. Dua pluhurin, smogun dhe zhurmën e Tiranës.
Ke tentuar ta provosh si këngëtar aty?
Të them të drejtën, kam kënduar pak edhe këtej dhe impakti ka qene pozitiv. Por diçka lokale ishte. Dhe megjithatë, prapë si shqiptar që jam, kur dal për të blerë cigare apo diçka tjetër, turistët dhe disa banorë që më kanë parë në klubin ku këndova, më thonë që “po të presim të na vish, të të dëgjojmë prapë”. Por unë dua të këndoj në Shqipëri. Kështu, po pres të mbyllim sezionin këtu e do të kthehem për një kafe në Tiranë. Uroj të mos jetë veç një kafe, por një rikthim. Megjithatë, të shohim si do të shkojë ecuria e projekteve që kam gati.
Nisur nga fakti qe jeton në ishull, ndodh që përfshihesh në aventura me turistët?
Imagjinoni që jetoj në ishull. Këtu edhe po s’pate fantazi, je në rregull, jo më për mua që nuk më mungojnë idetë apo dhe eksperiencat. Shëtitje nëpër 7 ishujt Eolie, sepse janë 7 ishuj pranë me njëri-tjetrin, zhytje ne det, ngjitja në “mal”, nëse mund të quhet mal ky ku ngjitem unë, edhe pse mjaft i lartë. Nata pastaj me femra, se femra ka plot për të tërë. Po mua s’më lejohet të shfrytëzoj postin (qesh). Dua të them që është gjithçka shumë bukur e shumë ok. Gjithçka në vendin e vet këtu, por unë s’jam në vendin tim, pra, aty ku dua të jem. Aty ku, edhe pse mbretëron papunësia, varfëria, zhurma e çdo gjë tjetër e shëmtuar, aty unë ndihem dhe jam unë, pasi marr frymë dhe më rreh zemra.