Xhensila Pere: Unë e dashura që bëj të vuajë Genën në klip, u habita kur më kontaktoi bashkëshortja e tij

 

Pas eksperiencave si miss në pasarelë, protagoniste në “Big Brother” apo kërcimtare në skenë, Xhensila Peren e shohim si aktore në klipin e ri të këngëtarit të njohur, Gena Lito. Dashuria e pamundur e artistit në fabulën e këngës, flet për botën e një femre që bën mashkullin të qajë. Për komunikimin me bashkëshorten e Genës, Lorenën, arsyen pse gratë i mbajnë larg burrat nga ajo, si ka arritur të injorojë paragjykimet që mund t’i bëhen, dashurinë në jetë dhe ambicien për të qenë femër e pushtetshme në Shqipëri, Xhensila i rrëfen në këtë intervistë të saj për “Panorama Plus”.

Të pamë në klipin e ri të Genës si figurante, kush ta propozoi dhe çfarë lidhjeje ke ti me aktrimin?
Ka qenë një nga projektet që e kam dashur që në momentin që m’u prezantua. Propozimi ka ardhur nga personat që merren me projektet e Genës. Aktrimin e dua, më pëlqen dhe mesa duket “shkojmë” me njëri- tjetrin.
Duke u nisur nga titulli i këngës “Lot i ëmbël”, çfarë karakteri femre solle brenda tij, atë që dashurohet apo atë katilen?
Unë iu përshtata tekstit, pra solla një katile sensuale.
Si ishte të bashkëpunoje me Genën, duhej doemos të kishit kimi si një çift real?
Ka qenë një bashkëpunim i bukur dhe profesional. Skenat e klipit nuk ishin bashkë me Genën, kështu që kimia duhej të ishte mes meje dhe tekstit.
Pavarësisht se ai të këndonte ty, asnjëherë nuk u pamë bashkë në një skenë të klipit. Pse dhe ishte e vështirë të aktroje e vetme për dashurinë e pamundur?
“Je gjithmone aty ku s’jam unë”, një nga vargjet e Genës ishte arsyeja pse nuk kemi pasur skena bashkë. Pjesa e aktrimit ishte i vështirë, sepse në momentin që ke një rol kryesor, përgjegjesia është e madhe. Por duke qenë se vargjet ishin mjeshtërisht të përshtatura me muzikën, puna ishte më e lehtë dhe jam përpjekur ta përcjell me klas, finesë dhe elegancë tek publiku, pa lënë mënjanë armën time, sensualitetin.

Gena-3

Dihet bashkëshortja e Genës, Lorena i qëndron shumë pranë edhe në karrierë e realizim projektesh. Kishte momente që ajo mund të jetë bërë xheloze për ty?
Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë. Dhe bashkëshorten e Genës do e quaja çelsin e suksesit të tij. Jo vetëm që nuk kishte vend për xhelozi, por është kujdesur deri në detaje për çdo dalje timen. Dhe unë kam qenë zgjedhja e saj, ndër shumë modele të tjera. Në fakt jam habitur kur jam kontaktuar nga ajo, se zakonisht gratë i mbajnë larg meje burrat. Dhe nuk e mendoja që nga një bashkëpunim mund të lindte një miqësi, ashtu si ka ndodhur mes meje dhe Lorenës.
Skena e zhytjes në pishinë nxori në pah trupin tënd të bukur, dhe shumë të tonifikuar. Si arrin të mbash këtë formë fizike?
Për këtë duhet të falënderoj mamin dhe Zotin, që deri më sot nuk më është dashur të kujdesem me dieta apo me aktivitete fizike! Është gjithçka gjenetike. Ose ndoshta sepse me mendje dhe zemër kam ngelur 20 vjeçe, dhe s’kam ndërmend të rritem.
E ke gjetur ndonjëherë veten brenda tekstit të kësaj kënge dhe kur?
Mendoj se çdo njeri e gjen shume lehtësisht veten brenda atij teksti, sepse pothuajse të gjithe kemi kaluar një histori dashurie me fund të hidhur. Në fund të fundit, dashuritë e mëdha nuk veshin fustanin e bardhë.
Po në jetë si i ke punët e dashurisë këto kohë?
Me dashurinë kam kohë që i kam shkëputur marrëdhëniet, sepse i jam dedikuar karrierës dhe projekteve të mia.

Gena-1
Ke menduar ndonjëherë se çfarë i duhet një femre si ty, që të rrëmbejë vëmendjen e një mashkulli që është i dhënë pas parave dhe jetës së shfrenuar?
Është shumë e vështirë të ndryshosh karakterin e njeriut. Nëse dikush është i përkushtuar ndaj parave, do të vazhdojë të jetë i tillë edhe nëse i fal gjithë dashurinë e kësaj bote. E nëse është për një jetë të shthurur të duhet të jesh kukulla e tij në pritje që ai të ndryshojë, kjo gjë është pothuajse e pamundur që të ndodhë.
Si një nga protagonistet më të komentuara në lojën e “Big Brother”, e ndien peshën e paragjykimeve në Shqipëri dhe në ç’aspekt të stigmatizojnë?
Tashmë është një luftë që e kam fituar para 3 vitesh, që pas daljes nga “Big Brother”. Dhe s’do ndaloja së bëri atë që dua dhe ndjehem mirë për asnjë lloj arsye, aq më tepër nga paragjykimet. Moral bëjnë të pamoralshmit, ndërsa Shqipëria ka qenë, është dhe do të ngelet një popull paragjykues. Për ne asnjëherë asgjë nuk është në rregull. Ka gjithmonë diçka që nuk shkon. Ndaj çdo gur që më është hedhur, e kam përdorur për të ndërtuar shkallë e për t’u ngjitur në destinacionin tim.
Je shprehur hapur se ke ambicie për të qenë femër e pushtetshme. Që të arrish këtë nga çfarë duhet të heqësh dorë, dhe ku duhet të fokusohesh?
Nëse do të jesh vërtet e pushtetshme nuk duhet të heqësh dorë nga vetja. Nëse vendos veten në plan të parë, çdo gjë është lehtësisht e arritshme. Mendoj që femra ka gjithë fuqinë e duhur për të pasur gjithçka që do. Mjafton të fokusohet te objektivat e saj, të mos heqë dorë nga ato, por mbi të gjitha të mos heqë dorë nga të qenurit femër.