Rikthimi i Kejsi Tolës, ja ç’ka ndodhur me këngën që ia besoi Flori Mumajesit
Një sukses i menjëhershëm ka rezultuar projekti më i ri i Kejsi Tola, i cili është sugjeruar pafund nga publiku shqiptar në topawards.top-channel.tv, duke u bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
“U Rritem” mban titullin prurja më e re e artistes së talentuar, e cila kësaj radhe i ka besuar kantautorit Flori Mumajesi.
Me muzikë dhe tekst të Florit, Kejsi ka bërë zgjedhjen e duhur për këtë projekt muzikor dhe këtë e tregojnë më së miri komente pozitive në rrjetet sociale si edhe renditja në “The Top List”.
Edhe pse ka vetëm një javë që ka dalë në treg, kjo këngë jo vetëm është bërë pjesë e “The Top List” por ajo është renditur gjithashtu mjaft mirë, pikërisht në 20 këngët më të votuara të klasifikimit.
“Kjo është një këngë që e kam dashur që nga fillimi kaq shumë dhe jam kaq e lumtur që po më bëni ta vazhdoj ta dua edhe më shumë, nga çdo koment dhe çdo fjalë me kaq shumë energji”, shkruan Kejsi në një postim të bërë në profilin e saj në Instagram sa i përket këngës “U Rritem”, sipas Top Channel.