Zaimina Vasjari: Khloe ka dy motra, e prezantova babain e vajzës se njerëzit dyshonin në identitetin e burrit në jetën time

Zaimina Vasjari ka rrëfyer për herë të pare përjetimet e nëntë muajve më të bukur të jetës së saj. Nga momenti kur e mori vesh lajmin e shtazënisë, e deri më sot, kur pak ditë e ndajnë nga takimi i parë me vajzën e saj, të cilës ia ka vendosur që tani emrin… Khloe, vjen si frut i një dashurie disavjeçare mes vajzës së dashur të ekranit dhe partnerit të saj Klodit, që në ndryshim nga ajo nuk e do fare vëmendjen publike. Revista “Who” ka publikuar edhe fotot artistike nga Juxhin Kurti të këngëtares, për look-n e së cilës është kujdesur, Elona Balaj. ”Story.al” ju sjell intervistën e plotë të këngëtares:

Zaimina, pak ditë na ndajnë nga ardhja në jetë e vajzës tënde të parë… Cilat janë ndjesitë e këtyre ditëve të fundit?

E gjithë kjo periudhë e kësaj pritjeje të ëmbël më kaloi shumë shpejt, as vetë nuk e kuptoja si iknin javët dhe afrohej fundi, por ky muaji i fundit po më duket shumë i gjatë (buzëqesh). Mezi po e presim, flas në shumës se ndjej padurimin e Klodit dhe familjarëve tanë, të cilët më kanë dhënë shumë dashuri dhe përkushtim gjatë këtyre muajve. Është një ndjesi e jashtëzakonshme, e papërshkrueshme, është vërtet një mrekulli.

E ke mbajtur larg vëmendjes së mediave shtatzëninë dhe duke qenë se ky është rrëfimi yt i parë, do të të pyesim patjetër për ditën kur e more vesh.Si ishte? Kujt ia tregove në fillim?

Është shumë e bukur dita kur unë e kam marrë vesh, pasi ishte dita e ditëlindjes time, 17 qershor, dhe unë paraditen e asaj dite vendosa të bëja një kontroll sepse nuk ndihesha mire, ndërkohë kisha bërë paraprakisht testin e shtatzënisë dhe më kishte dalë negativ. Vajtja në klinikë, ishte e sigurt në mendjen time që nuk kishte lidhje me shtatzëninë. Isha e shoqëruar nga motra ime atë ditë dhe pasi bëra disa analiza me thanë se do me lajmëronin për përgjigjen në telefon. Mbas disa orësh më vjen një telefonatë, që ishte motra ime e cila po qante dhe përsëriste “do bëhem teze, do bëhem teze”… Nuk po e kuptoja derisa më tha “Urime, do bëhesh mami!”. Ishte shumë e bukur, qanim të dyja në telefon dhe isha mpirë komplet. Natyrisht që personi parë që i tregova ishte Klodi, i cili kishte kohë që e priste këtë moment. Ishte një dhuratë shumë e bukur ditën e ditëlindjes time.

Pse qëndrove larg medias për disa muaj?

Nuk do ta mbaja larg medias, por thjesht po prisja momentin kur çdo gjë të ishte mirë dhe bebi të kalonte të gjitha kontrollet e nevojshme… Gjithsesi mediat e kapën shumë shpejt si lajm dhe për këtë gjë të them të drejtën jam mërzitur, sepse për mua ky moment nuk ishte një ngjarje për të mbushur gazetat dhe portalet. Nuk e pashë pjesën njerëzore te shkrimet që bënë, prandaj vendosa të mos pranoja asnjë intervistë dhe më vonë.

Si e priti partneri yt lajmin se do të bëheshit prindër?

Siç e thashë më lartë ai e priste prej kohësh këtë moment dhe u gëzua shumë… Jam një vajzë me shumë fat që kam një njeri shumë protektiv, që më ka bërë të përjetoj një periudhë të mbushur plot me dashuri dhe lumturi.

Pse vendose ta publikosh tani një fotografi me Klodin, pas shumë vitesh lidhjeje?

Kemi një histori të gjatë, disavjeçare, kemi kaluar dhe në momentet tona, na u desh të provonim ndarjen për të kuptuar që ajo që donim ishte të ishim pranë njëri-tjetrit. Nuk e kam pasur asnjëherë problem për ta bërë lidhjen time publike, por Klodi nuk është një personazh i njohur dhe pjesën e gazetave, mediave, portaleve e ka problem, nuk është natyrë që do të ekspozohet. Kur ne bëmë festën e “babyshower” pati shumë mesazhe nga njerëz dyshues për identitetin e babait si dhe nga ata qe ishin kuriozë a ekzistonte një mashkull në jetën time dhe pse nuk e bëja publik. Prandaj vendosa që me setin e shtatzënisë ta prezantoja dhe babain e vajzës sime si dhe partnerin e jetës time.

Si kanë qenë këto muaj, nga dita e parë kur e ndjeve të lëvizë në barkun tënd e deri më tani?

E kam ndjerë shumë vonë të lëvizë, ndoshta nga muaji i 8-të dhe muaji 9-të që po më le pa gjumë nga lëvizjet. Por kur kujtoj ato lëvizjet e para, ndjesinë e një fluture në bark, emocionohesha shumë, më dukej e jashtëzakonshme… Është një ndjesi e papërshkrueshme, thjesht ndihem e bekuar që jam femër, dhe e përjetoj këtë moment!

Çfarë domethënieje ka emri Khloe?

Unë kam qenë e fiksuar në vite me këtë emër dhe kur mora vesh që gjinia e bebit ishte vajzë u lumturova shumë, se emrin e kisha gjetur. Ndoshta dhe nga Klodi, për të qenë një emër i ngjashëm me babin.

Do ketë motër ose vëlla Khloe?

Khloe ka aktualisht dy motra Jennifer dhe Kristel, të cilat mezi po e presin. Por familja do edhe një çun, kështu që nuk do jetë Khloe bebi i fundit i familjes sonë.