Bora Zemani: Unë nëna e djalit Arbor në të 20-at, pse ndjehem shumë gati fizikisht dhe psikologjikisht
Shumë personazhe VIP u bënë pjesë e aventurës tënde me parachute në formatin “Guximtarët”. Si lindi ideja për këtë program?
Në fakt ende nuk e besoj që kam fluturuar rreth 30 herë dhe që “Fluturon, fluturon Bora!” do të ishte refreni i kësaj vere për mua. Duke menduar edhe që më parë kisha edhe shumë frikë nga lartësitë. Me paragliding u njoha sezonin që shkoi ku isha, po prapë pjesë e emisionit “Bar Skedina”, por nga terreni ku shkoja në qytete të ndryshme. Me “detyroi” produksioni i emisionit që të fluturoja në lidhje “live” nga Vlora një ditë pas Kampionatit Botëror të Aeronautikës. Nuk dija si të shpëtoja dhe kam pranuar të fluturoj vetëm se isha në lidhje “live”, dhe njerëzit kishin vënë baste për mua nëse e bëja ose jo. Më erdhi keq t’i zhgënjeja ata që kishin besim dhe pranova nga sikleti.
E si e kujton momentin e parë të shkëputjes nga toka?
Sa m’u shkëputën këmbët nga toka u ndjeva e mrekulluar. Dhe sapo kam zbritur mendova: ”Unë jo vetëm që do të fluturoj prapë, por dua të mësoj të fluturoj edhe vetëm”. Aty erdhi dhe ideja e programit, doja t’ua tregoja të gjithëve sa bukur është të fluturosh. Mjafton të kesh vetëm pak guxim. Prandaj dhe emisioni mbajti këtë emër më pas ”Guximtarët”.
Për herë të parë ti nuk ishe vetëm prezantuese, por edhe autore e një programi. Sa e vështirë ishte kjo?
Ky ishte projekti im i parë si autore, dhe në fakt ka pasur shumë vështirësi në realizim duke filluar që nga ana teknike. Unë dhe i gjithë stafi ishim për herë të parë në situatë të tillë, ku ishim të detyruar të xhironim çdo emocion të të gjithë personazheve, por në ajër. Megjithatë djemtë që punuan në këtë program ishin vërtet profesionistë dhe gjetën zgjidhje për çdo problem.
Çfarë problemesh, rreziqesh apo në ç’aspekt ndiheshit të kushtëzuar gjatë realizimit të projektit?
Po vareshim shumë edhe nga kushtet e motit. Kudo mendojnë vetëm ka diell apo shi, ndërsa ne duhet të shihnim gjithmonë edhe erën, sa frynte, drejtimin etj. Gjithmonë duhej të nxitonim. Megjithatë jam shumë e lumtur që në fund ja dolëm dhe gjithë vështirësitë u shpërblyen me një kënaqësi të madhe që na fali në fund ky projekt. E gjitha u bë realitet falë drejtuesve dhe programacionit të “Digitialb”, të cilët besuan tek unë dhe tek ky projekt.
Cila ishte frika jote para se ta bëje realitet gjithçka pamë tek “Guximtarët”?
Në përgjithësi jemi mësuar që projektet të bëhen nga meshkuj dhe këtë frikë e kisha fillimisht se duke qenë femër, dhe vetëm 25 vjeçe ndoshta nuk do jepja besim dhe nuk do ta realizoja këtë ëndërr. Por “Digitalb” sheh gjithmonë më larg, prandaj është lider në median shqiptare.
Ekziston diku tjetër ky format?
Jo, nuk ekziston ky format. I kemi parë shpesh personazhet publikë të këndojnë apo të kërcejnë, edhe kur nuk është profesioni i tyre. I kemi parë në “reality” apo intervista të ndryshme. Por në këtë formë jo, të flasin për momentet më të guximshme në jetën e tyre dhe për aventurat më të çmendura, që kanë bërë ndonjëherë. Dhe në fund të provojnë limitet e guximit të tyre. Këto janë ato gjëra që e bëjnë të bukur dhe të veçantë këtë emision. Në Shqipëri ndodh shpesh të shohim formate të kopjuar ose edhe thjesht të frymëzohen nga programe të huaja, por ky nuk është rasti i emisionit “Guximtarët”. Ndoshta ndodh e kundërta këtë herë, frymëzojmë ne shqiptarët të huajt për të bërë diçka të tillë.
Pamë që kishe personazhe të rëndësishëm publikë në emision, tek të cilët zbulove shpirtin e aventurës në maksimum. Kishte ndonjë prej tyre që nuk arriti të fluturonte nga frika?
Ilda Bejleri nuk arriti dot të fluturonte për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Duhen parë të gjitha këto puntata sepse çdo personazh është i veçantë. Frikacakë nuk do quaja asnjërin, për sa kohë të gjithë guxuan të fluturonin.
A pati incidente me ndonjë personazh gjatë xhirimeve?
Me mua sigurisht që jo se me aq fluturime sa kam bërë mund të quhem pasagjere profesioniste. Por as me të ftuarit nuk ka pasur asgjë serioze apo të lëndohet dikush. Djemtë e aeronautikës shqiptare janë profesionistë, dhe nuk rrezikojnë në asgjë.
Po tani që mbaruan xhirimet e këtij emisioni ke ndërmend të fluturosh sërish?
Sa herë të më jepet mundësia. Dhe gjithmonë do të fluturoj me “Digitalb”. Me velën që mban edhe firmën time, sepse kështu e do zakoni që kush fluturon për herë të parë me një velë e firmos atë.
Ndërkaq Bora Zemani i merr emisionin Ilda Bejlerit ishin titujt e portaleve pasi njoftove ndjekësit se do të moderosh këtë sezon “Bar Skedina”. Si ndodhi që t’u dha ky program?
Nuk ka asgjë të çuditshme në këtë mes. Ndodh shpesh çdo fillim sezoni të bëhen ndryshime në çdo televizion. Nuk gjej arsye tjetër përveç dëshirës për klikime me ato tituj që nuk ishin fare të provokuar as nga unë e as nga Ilda. “Bora Zemani i merr emisionin” ishte më e pakta, sepse kishte tituj të tjerë edhe më të egzagjeruar. Por ndodh edhe kështu me portalet… E rëndësishme është që edhe unë, edhe Ilda ndjehemi mirë me emisionet e këtij sezoni. Unë me “Bar Sport Skedina” dhe ajo me “Zona Gol”.
Sa për marrëdhënien me Ildën, ju jeni më shumë rivale apo mikesha me njëra-tjetrën, dhe ç’mund të rrëfesh ndonjë paskuintë rreth konkurrencës mes gazetareve të sportit?
Gjithmonë do të jetë kjo ideja që femrat shkojnë keq me njëra-tjetrën. Me ne nuk ndodh. Ose të paktën nuk e shohim njëra-tjetrën rivale nga fakti se jemi femra. Në “Super Sport” është një staf i madh gazetarësh shume profesionistë dhe të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, që të gjithë emisionet dhe çdo gjë tjetër aty të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe Supersport të jetë referencë për të gjithë sportdashësit. Shumë pak gjëra duken në ekran, por ne realisht kemi të gjithë marrëdhënie shumë të mirë edhe jashtë punës, ku mblidhemi shpesh edhe për dreka e darka. Në “Super sport” është një ambient pozitiv dhe shumë miqësor, ne funksionojmë si familje, ose nëse e lidhim me sportin, si skuadër e vërtetë.
Mami e re me linja të bukura. Si arrin ta mbash trupin në formë pas lindjes?
Duhet të them faleminderit Zot ose mami dhe babi për trupin që më keni dhënë, sepse jam njeri shumë pa vullnet në këtë pjesë.
Pas lindjes së djalit je kujdesur për të sjellë trupin në formë?
Nuk jam kujdesur për të ardhur në formë, por një meritë të madhe për këtë e ka edhe vetë Arbori, që nuk më lë të pushoj një moment se duhet ta ndjek kudo.
Pra nuk bën palestër?
Nuk bëj dot palestër më shumë se dy javë.
Po dietat i praktikon?
Jo, nuk mbaj dot dieta.
Marrëdhënia jote me ushqimin si është?
Po më thanë këtë mos e ha se të shëndosh aty më rri mendja (qesh).
Të lindësh në moshë të re është avantazh apo disavantazh nisur nga eksperienca jote personale?
Çdo moshë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Në të 20- at je gati nga ana fizike për një fëmijë, ndërsa në të 30-at je gati nga ana psikologjike thonë.
Pra për ty fëmija erdhi në momentin dhe moshën e duhur?
Por unë kam qenë shumë gati për të dyja këto që përmenda më sipër gjithsesi.