Fevziu alarmohet nga plazhet bosh në jug: Çmime të çmendura, kur aty nuk ke ku parkon jahtin… Mblidhni mendjen!

Gazetari dhe blogeri i njohur, Blendi Fevziu, ka publikuar një video nga Palasa, ku ngre alarmin për braktisjen e plazheve të jugut nga turistët.

Fevziu thotë se plazhet janë boshatisur dhe turizmi i plazheve është nën nivelin e pritshmërive. Një prej arsyeve sipas tij është ulja e numrit të vizitorëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

“Dështimi i këtij viti kanë qenë plazhet. Po pse kanë dështuar plazhet? E para dhe kryesorja, nëse referojmë të dhënat e INSTAT, 54% e turizmit vjetor përbëhet nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë dhe më pak të Malit të Zi. Po ashtu një pjesë turistësh që e çojnë në 68% numrin e turistëve që hyjnë në rrugë tokësore, ky lloj turizmi ka pësuar rënie. Shqiptarët e Kosovës janë dukshëm më pak të pranishëm, madje edhe në veri dhe Durrës. Janë shumë pak të pranishëm në jug ku është shtuar turizmi i shqiptarëve të diasporës”, deklaron Fevziu.

Fevziu fajëson çmimet e larta për këtë braktisje, duke thënë se çmimet në jug të vendit janë “të çmendura” dhe ideja për të tërhequr turistët elitarë, është e gabuar, pasi shërbimi nuk përputhet me çmimin dhe turistët elitarë nuk afrohen. Si shembull, Fevziu përmend faktin se turistët elitarë nuk kanë ku dalin mbrëmjeve, apo nuk kanë ku parkojnë jahtet, pra mungon infrastruktura.

“Duhet ta mbushim mendjen, problemi kryesor i turizmit dhe dëmtimi më i madh janë çmimet. Nuk paragjykoj askënd të vendosë çmimin që do, për shezllonë, dhomën apo restorantin. Çmimi është ofertë-kërkesë, por ka një problem, me çmimet që ka Shqipëria nuk justifikon shërbimin. Në veri çmimet janë ngritur por pak, edhe në Durrës edhe në Velipojë, por janë ngritjet më të ulëta. Çmimet e jugut janë të çmendura!

Dëgjoj njerëz që thonë, po sa e merrni në Mykonos, Saint-Tropez, Monte Carlo, Sardinia, Porto Cervo. Jugu i Shqipërisë pavarësisht bukurive, nuk mund të jetë asnjë prej këtyre, sepse nuk ka shërbime, nuk ofron asgjë. Dëgjoj operatorë turistikë të dalldisur, që thonë nuk na duhet turizmi i lirë, por duam turizëm elitar. Po mirë, këta turistë elitarë ku do të shkojnë pasdite? Në cilin dyqan? Ku do ti parkojnë jahtet apo varkat e tyre? Apo do të rrinë në det me spirancë? Ku janë aeroportet që do të ulen avionët? Ku ka turist elitar që vjen dhe të mos ketë, me përjashtim të dy hoteleve me pesë yje të standardit ndërkombëtar…”, thotë Fevziu i alarmuar.

Ai jep edhe një shembull se si disa njerëz të pasur nga Evropa, zbritën nga jahti për të bërë plazh në Vlorë, por sapo panë plazhin u kthyen sërish në jaht.

“Para ca kohësh nga një jaht në Vlorë zbriti një nga familjet më të pasura të Evropës. Me të zbritur me jaht dhe me të parë plazhin, hipën në varkë dhe ikën sërish. Mos pretendoni turistë elitarë, nuk është gati Shqipëria dhe nuk do të jetë as në dhjetë vitet e ardhshme”, tha ndër të tjera Fevziu.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Blendi Fevziu (@blendifevziu)

tpz.al