
Flavia dhe Dorea, fytyrat e reja të bukurisë shqiptare që do të ndriçojnë skenën botërore
Në një natë ku drita, emocionet dhe bukuria u bashkuan në një skenë të vetme, dy vajza u veçuan jo vetëm për hijeshinë e tyre, por për gjithë çka përfaqësonin, forcë, elegancë, inteligjencë dhe krenari kombëtare. Flavia Harizaj, e kurorëzuar si Miss Universe Albania 2025 dhe Dorea Shala, shpallur Miss Universe Kosova 2025, ishin dy yjet që ndriçuan mbrëmjen gala të 29 qershorit në Pallatin e Kongreseve.
Flavia Harizaj, 25 vjeçe, nga qyteti i Fierit, tërhoqi vëmendjen që në daljen e parë. Me një bukuri të qetë, por që mbart shkëlqim të natyrshëm, ajo ngjante sikur vinte nga një kartolinë e bardhë, ku eleganca nuk kërkon zë të lartë. Gjatësia, ecja e saj e butë, sy që qeshin e bënë të padiskutueshme praninë e saj mes konkurrenteve. Por ajo që e veçoi ishte qetësia me të cilën mbajti peshën e skenës.
Dorea Shala, përfaqësuese e Kosovës, shkëlqeu si një yll i lindur për spektakël. E gjatë, me tipare të forta dhe një qëndrim të palëkundur, ajo ngjalli menjëherë respekt dhe admirim. Veshja tradicionale që mbante në sfilatën etnike u kthye në një deklaratë për identitetin dhe origjinën. Dorea është nga ato vajza që jo vetëm përfaqësojnë, por mbartin dhe përçojnë një kulturë të tërë.
Të dyja, ndonëse nga vende të ndryshme, takohen në një pikë të përbashkët: janë ambasadore të një Shqipërie që kërkon të flasë ndryshe, me dinjitet, finesë dhe përfaqësim të denjë në skenën globale.
Me kurorën mbi kokë, Flavia dhe Dorea nuk ishin më thjesht vajza të bukura, por ato u bënë simbole të një brezi të ri që beson te vetja, që përqafon rrënjët, por dhe shikon përtej kufijve. Në nëntor, në Tajlandë, bota do të shohë çfarë do të thotë të jesh bukuri shqiptare.
revistavip.al