Ishte dashuria pa faj e nje vajze te re/ Monica rikthen skandalin e marrëdhënies me Bill Clinton pas 25 vitesh

Monica Lewinsky i është rikthyer sërish historisë së famshme që pati me ish-presidentin Bill Clinton, një lidhje që shkaktoi një skandal të madh në vitet ’90. Në një episod të podcast-it britanik “How to Fail”, të publikuar të mërkurën, Lewinsky tha se, ndonëse atëherë mendonte se ishte e dashuruar me Clinton, sot e kupton që në fakt u shfrytëzua në atë situatë.

“Ishte dashuria e një vajze të re, 22 deri në 24 vjeçe… Mënyra se si e kuptojmë dashurinë ndryshon me çdo marrëdhënie që kemi. Kështu e ndjeja atëherë. Besoj se kishte edhe ndjenja pasioni të shkurtra, por mbi të gjitha tani e shoh edhe si një abuzim me pushtetin,” – tha ajo.

Kur lidhja e tyre u bë publike në vitin 1998, Lewinsky u përball me tallje dhe u etiketua si “budallaqe”. Ajo beson se kjo narrativë u krijua dhe u përhap nga Shtëpia e Bardhë.

“Mendoj se ishte një narrativë e krijuar dhe e përhapur nga Shtëpia e Bardhë, ndaj shumë gra e përvetësuan atë qasje,” – theksoi Lewinsky.

Në një intervistë të mëparshme për CNN në vitin 2021, ajo kishte folur për pabarazinë e pushtetit mes saj dhe Clinton-it, duke e cilësuar sjelljen e tij si “tërësisht të papërshtatshme” për dikë që ishte “njeriu më i fuqishëm” dhe gati 30 vjet më i madh.

“Isha 22 vjeçe, sapo kisha përfunduar universitetin dhe mendoj se nuk e kuptoja dot atëherë dallimin e pushtetit mes nesh. Pasoja që sot i kuptoj shumë më mirë në moshën 48-vjeçare, atëherë ishin të paimagjinueshme për mua.”

ntv.al