
Si është Mbappé pas shtrimit në spital: mund të humbasë gjithë Botërorin e Klubeve
Kylian Mbappé ishte shtruar në një spital të Majemit për shkak të një gastroenteriti akut, pak ditë pas nisjes së Kupës së Botës për Klube. Francezi është tashmë i liruar nga klinika, por rikthimi në fushë nuk është edhe aq afër: kompeticioni ende nuk ka nisur për yllin e Real Madrid, i cili ka pasur probleme të shumta fizike që nga mbërritja në Shtetet e Bashkuara, tashmë një javë më parë. Fillimisht temperatura, më pas izolimi nga shokët e skuadrës dhe në fund shqetësimi që çoi në shtrim dhe që me shumë gjasë do ta bëjë të humbasë gjithë fazën e grupeve të turneut.
Sipas përditësimeve të publikuara nga Marca, ish-lojtari i PSG ndodhet tani në hotel bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, por ende nuk mund të stërvitet sepse është tepër i dobët. Problemi vazhdon dhe do të vlerësohet ditë pas dite nga stafi mjekësor i Blancos, që e ndjek me kujdes. Sigurisht nuk do të jetë i pranishëm kundër Pachuca dhe vështirë se do të mund të përdoret nga Xabi Alonso për ndeshjen e fundit të grupit kundër Salzburg.
Si është Mbappé pas shtrimit në spital
Gjendja fizike e francezit vazhdon të shqetësojë, edhe pse shqetësimi duhet të jetë tashmë nën kontroll. Pak ditë më parë ishte shtruar për gastroenterit akut, por më pas u lirua nga spitali për t’u rikthyer në dhomën e tij të hotelit, nga e cila nuk është larguar këto ditë: prej andej ka ndjekur debutimin e Real Madrid në Kupën e Botës për Klube, nën izolim të rreptë për shkak të temperaturës, por situata u përkeqësua dhe kërkoi analiza të veçanta në një klinikë të Miamit.
Pasi kreu të gjitha trajtimet e nevojshme, Mbappé është ribashkuar me skuadrën, por është ende shumë i dobët për të rifilluar stërvitjen bashkë me shokët. Real Madrid do të udhëtojë drejt Charlotte për ndeshjen e dytë të fazës së grupeve ku do të përballet me Pachuca, por francezi nuk do të jetë në avion, pasi nuk është i gatshëm as për stolin. Vështirë se do të rikuperohet për sfidën ndaj Salzburgut që do të mbyllë fazën e parë të Kupës së Botës për Klube dhe, me shumë gjasë, mund të rikthehet për fazën me eliminim direkt.
lapsi.al