Përfshihet nga flakët apartamenti i Françeska Muratit

Një zjarr ka përfshirë një apartament në zonën e njohur të Lake View në Tiranë, vetëm pak ditë pasi ishte finalizuar blerja e tij. Sipas burimeve nga Iconstyle, bëhet fjalë për apartamentin e Françeska Muratit, ish-banore e “Big Brother VIP Albania”, e cila së fundmi kishte investuar një shumë prej rreth 500 mijë euro për këtë pronë.

Pamjet e shpërndara në rrjet tregojnë flakët që kanë dalë në ballkonin e apartamentit dhe një tym të dendur që përhapet në katin përkatës. Ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar, dëmet materiale në apartament janë të konsiderueshme.

Deri tani shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, por hetimet janë në vijim nga shërbimet zjarrfikëse dhe policia. Në pamjet e siguruara nga Iconstyle, shfaqet edhe Françeska që komunikon tepër e shqetësuar me zjarrfikësit.

Ky incident ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, jo vetëm për faktin që bëhet fjalë për një banesë luksoze, por edhe për ironinë tragjike të kohës: një investim gjysmë milionë eurosh që përfundon në flakë vetëm pak ditë më pas.

privebruto.com