Vajza e Michael Jackson në objektivin e fotografit shqiptar!

Paris Jackson, vajza e ikonës së muzikës Michael Jackson, ka pozuar së fundmi para objektivit të një fotografi shqiptar që po bën emër në skenën ndërkombëtare të modës.

Bëhet fjalë për Shkelzen Konxhelin, artistin me origjinë nga Kosova, i cili ka realizuar këtë set në Paris me titullin simbolik “Paris in Paris”. Fotografia është një kombinim elegant i hijeshisë dhe forcës artistike, duke nxjerrë në pah një ndjeshmëri të thellë që e karakterizon stilin e Konxhelit. Ai është një emër që po spikat çdo ditë e më shumë në industrinë ndërkombëtare të modës dhe fotografisë.

I lindur në Kosovë dhe i vendosur prej vitesh në Zvicër, Shkelzeni ka ndërtuar një karrierë të admirueshme me punë të botuara në revista të nivelit të lartë si Vogue Arabia, Elle, Harper’s Bazaar, L’Officiel dhe shumë të tjera. Ai është i njohur për stilin e tij të pastër vizual, me kontrast të theksuar, kompozim të sofistikuar dhe një qasje intime ndaj subjektit që e bën secilën fotografi të flasë më shumë se një mijë fjalë.

Përmes objektivit të tij kanë kaluar dhjetëra personazhe të famshëm, por bashkëpunimi me Paris Jackson është një nga momentet më të bujshme që konfirmon edhe një herë kalibrin e tij si artist me përmasa ndërkombëtare. Ai është përfaqësues i një brezi të ri krijuesish shqiptarë që nuk ndalen në kufijtë e vendlindjes, por e çojnë talentin e tyre drejt majave të botës.

Ky sukses është një tjetër dëshmi që arti shqiptar ka zë, fuqi dhe identitet në arenën globale.

/Prive by Liberta Spahiu