
Pse rrëzimi i “Boeing 787 Dreamliner” ka tronditur industrinë e aviacionit
Rrëzimi tragjik i një avioni Air India pranë aeroportit të Ahmedabad ka tronditur jo vetëm opinionin publik, por edhe industrinë globale të aviacionit.
Ngjarja, e cila ndodhi vetëm pak minuta pas ngritjes së avionit Boeing 787-8 Dreamliner me destinacion Londrën, shënon aksidentin e parë fatal në historinë 14-vjeçare të këtij modeli.
Avioni, pjesë e flotës moderne të Air India-s, mbante në bord 242 persona, përfshirë pasagjerët dhe ekuipazhin e avionit. Ai u rrëzua mbi një konvikt pranë aeroportit, duke shkaktuar viktima të shumta, ndonëse numri i saktë ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Fluturimi AI171 përfundoi në tragjedi, duke shënuar një moment të rëndë për një prej modeleve më të suksesshme të Boeing-ut.
Vetëm gjashtë javë më parë, kompania amerikane kishte festuar një arritje historike për Dreamliner-in.
Ky model i Boeing kishte regjistruar transportin e një miliard pasagjerësh, përmes një flote globale prej më shumë se 1,175 avionësh që kanë kryer rreth pesë milionë fluturime dhe mbi 30 milionë orë fluturimi. Ky rekord e kishte kthyer 787-n në simbol të besueshmërisë dhe inovacionit.
Por kjo ngjarje fatale vjen si një goditje serioze për Boeing-un, i cili tashmë përballet me sfida të mëdha pas krizës me modelin 737 MAX, i përfshirë në disa aksidente fatale viteve të fundit.
Sytë janë tani te CEO-ja Kelly Ortberg, i cili ndodhet në vitin e tij të parë në detyrë dhe është angazhuar për të rikthyer besimin te marka pas një periudhe të vështirë për kompaninë.
Në një deklaratë të shkurtër zyrtare, Boeing tha:
“Jemi në dijeni të raporteve fillestare dhe po punojmë për të mbledhur më shumë informacion.”
Ndërsa ekspertët po shqyrtojnë shkaqet, përfshirë mundësinë e një përplasjeje me shpendë që mund të ketë dëmtuar motorët e avionit, hetimet pritet të jenë të gjata dhe komplekse, duke përfshirë analizën e të dhënave të regjistruara në kutitë e zeza.
Sakaq, aksionet e “Boeing” regjistruan sot një rënie.
Kompania amerikane e prodhimit të avionëve, e cila ka shfaqur probleme të sigurisë vitet e fundit, përjetoi rënie të aksioneve deri në 8%.
voxnews.al