
Përplasja e madhe/ Multimilarderi me sy të nxirë, media amerikane zbulon sherrin Musk-Bessent para ‘ndarjes’ me Trump
Mediat sociale dhe tabloidët tani pretendojnë se fëmija që i ka qëlluar në sy Elon Musk, duke i lënë një mavijosje, mund të jetë 1.94 metra i gjatë, 62 vjeç dhe të mbajë postin e Sekretarit të Thesarit. Në rrjetin X janë hedhur me forcë për të risjellë ndryshe historinë e syrit të nxirë që pronari i Tesla-s shfaqi në Zyrën Ovale, ditën e tërheqjes së tij nga politika në fund të majit. “Ka qenë djali im”, iu përgjigj ai një gazetari.
“Po luanim, i thashë të më godiste një grusht dhe ai e bëri.” Donald Trump, ulur pas tavolinës presidenciale, shtoi: “Nëse do e njihnit X-in (emrin e djalit të Musk) do e dinit që është i aftë ta bëjë.” Por mediat amerikane kishin ngritur dyshime: a mundet një fëmijë pesëvjeçar t’i shkaktojë një sy të nxirë një të rrituri?
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ndoshta nuk ka lidhje, por tani dihet se në mes të prillit ai dhe Musk janë përleshur. E ka zbuluar Washington Post, që ka folur me Steve Bannon, strategun historik të Trump dhe kundërshtar të deklaruar të miliarderit afrikano-jugor. Musk dhe Bessent kishin shkuar në Zyrën Ovale për të mbështetur dy kandidatë të ndryshëm për postin e përkohshëm të drejtuesit të IRS, agjencia tatimore. Trump kishte zgjedhur kandidatin e Bessent.
Pasi dolën nga Zyra Ovale, nëpër korridoret e Shtëpisë së Bardhë, të dy kishin shkëmbyer fyerje. Sekretari i Thesarit i kishte kujtuar Musk premtimin e pambajtur për të zbuluar mashtrime me vlerë një trilion dollarë. “Ti je një mashtrues – i kishte thënë Bessent – Je një mashtrues i madh.” Në atë moment, sipas Bannon, Musk e kishte goditur në brinjë, “si një lojtar rugby”, dhe Bessent ishte përgjigjur duke e goditur. Përplasja u ndërpre nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, disa metra larg zyrës së këshilltarit për sigurinë kombëtare. Musk u largua menjëherë nga West Wing.
“Kur presidenti Trump e mori vesh – ka rrëfyer Bannon – tha: ‘Kjo është shumë’.” New York Post e ka ribotuar historinë, duke e shoqëruar në mënyrë nënkuptuese me fotografi nga afër të syrit të nxirë të Musk. Në fund të prillit, miliarderi shpalli tërheqjen e pjesshme nga Uashingtoni për t’u përqendruar te kompanitë e tij, veçanërisht Tesla, që ndodhej në krizë. Disa javë më vonë, drejtuesi i NASA-s dhe miku i tij, Jared Isaacman, u shkarkua nga detyra. Më pas erdhi përplasja e bujshme publike mes Musk dhe Trump. Sherri me Bessent ishte pika e ndarjes, e ndjekur nga përplasje të tjera. Duke filluar nga akuza e hedhur nga Musk me një postim në X – më pas i fshirë – sipas të cilit emri i presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara ndodhej në dosjet e Epstein.
Manjati është betuar për hakmarrje: jo vetëm që mund t’i ndërpresë subvencionet federale kompanive të tij. Sipas Politico, të premten e kaluar kanë komunikuar këshilltarët e Musk dhe Trump: “E ardhmja e marrëdhënies së tyre – ka thënë një prej zyrtarëve – është totalisht e pasigurt.” Presidenti synon t’i djegë terrenin rreth tij. Sipas faqes Alter.net, Trump ka telefonuar disa gazetarë televizivë – Bret Baier nga Fox, Dana Bash nga CNN, Jonathan Karl nga ABC dhe Robert Costa nga CBS – dhe ka sulmuar ish-mikun e tij, duke e përshkruar si “të çmendur” dhe “të varur nga droga”. Të tjerë thonë se Trump donte t’i bindte prezantuesit, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, që të sulmonin Musk dhe ta izolonin. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të hapej një skenar i ri. Kur shpalli fundin e marrëdhënies me sipërmarrësin, Trump nuk e kishte thënë të vërtetën e plotë: tani ai do ta shkatërrojë./La Repubblica
tpz.al