150-vjetori i Thomas Mann/ A është ai romancieri i shekullit?

Thomas Mann ishte një romancier i shekullit, i cili edhe në emigracion ruajti lidhjen me fatin e gjermanëve. Më 6 qershor 2025 ishte jubileu i 150-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh.

Bota e letërsisë është e një mendimi: Jeta dhe të shkruarit kanë qenë të lidhura ngushtë tek Thomas Mann (1875-1955). Autori gjerman u bë i njohur në botë – si zëri i kulturës e po ashtu ai edhe një udhëtar mes botëve.

Ai njihet në radhë të parë për veprimtarinë e tij të pasur letrare me vepra si romani madh “Budenbrokët”, për të cilin u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi më 1929,”Mali Magjik” apo “Dr. Faustus”. Por Thomas Mann bëri emër edhe me angazhimin e tij politik.

Ai shkruajti ese dhe fjalime radiofonike. Thomas Mann jetoi një jetë në kohë me trazira të politikës botërore, me dy luftra botërore, sundimin nazist dhe Holokaustin. Shumë prej këtyre zhvillimeve pasqyrohen në veprën e tij.

Që në moshë të re Thomas Mann tërhoqi vëmendjen me tregimet e tij, duke u bërë një emër i njohur në qarqet letrare. Ai ishte vetëm 26 vjeç kur korri suksesin e madh me romanin Budenbrokët (1901). Kryesisht për këtë roman e letërsinë e tij ai u nderua edhe me çmimin Nobel në vitin 1929.

Ndryshimi epokal në tregti dhe ekonomi në shekullin e 19-të është një nga temat qendrore të romanit Budenbrokët.

Familja dhe largimi nga Gjermania

Thomas Mann ishte djali i dytë i tregtarit dhe senatorit të Lybekut Thomas Johann Heinrich Mann. Nëna e tij e lindur në Brazil Julia (emri i lindjes da Silva Bruhns) i përkiste nga prejardhja prej nënës së saj popullsisë indigjene portugeze. Çifti Mann pati pesë fëmijë Heinrich, Thomas, Julia, Carla dhe Viktor.

Thomas Mann u rrit në kushte të mira në një familje të pasur në Lybek, ku babai i tij deri në vdekje mbante edhe postet e senatorit për ekonomi e financa në qytet.

Gjatë periudhës së forcimit të nacionalsocialistëve ai u bë një kundërtar i rreptë i këtij sistemi, gjë që e detyroi atë të largohet nga Gjermania fillimisht në Zvicër dhe nga viti 1934 në SHBA. Thomas Mann ndërroi jetë në Zyrih në vitin 1955. /DW

lapsi.al