Po çonte vajzat në shkollë, ish-këshilltari i presidentit ekzekutohet në lagjen e pasur të Madridit

Andriy Portnov, një ish-politikan ukrainas dhe ish-këshilltar i ngushtë i presidentit pro-rus Viktor Janukovyç, është vrarë të mërkurën në Madrid, në një atentat të tipit mafioz. Ngjarja ndodhi në hyrje të Shkollës Amerikane të Madridit, në lagjen e pasur Pozuelo de Alarcón, ndërsa Portnov po linte vajzat e tij në shkollë.

Sipas dëshmitarëve, Portnov u qëllua pesë herë nga dy ose tre atentatorë të armatosur, të cilët lëviznin me motor. Ai u qëllua në kokë dhe trup, teksa po përpiqej të hipte sërish në makinën e tij Mercedes në orën 09:15 të mëngjesit. Policia spanjolle ka nisur një hetim të gjerë, duke u fokusuar fillimisht te pista e një hakmarrjeje, e ndoshta e lidhur me politikën apo borxhe të papaguara.

Portnov, 51 vjeç, ishte një figurë mjaft e diskutueshme në Ukrainë. Ai ishte pjesë e afërt e qeverisë së Janukovyçit midis viteve 2010-2014 dhe luajti rol kyç në hartimin e ligjeve represive gjatë protestave të Euromaidanit. Pas përmbysjes së regjimit në vitin 2014, ai u largua nga Ukraina, duke jetuar fillimisht në Rusi, më pas në Vjenë dhe më pas u kthye në Ukrainë.

tpz.al