
Tom Cruise na rikujtoi se asgjë nuk është e pamundur: “Si e bëra ëndrrën time realitet”
Nëse ekziston një aktor me një karrierë të shkëlqyer, ai është padyshim Tom Cruise. Që në moshë të re, ai arriti të bëhej një nga të preferuarit e publikut me filmat e tij që fituan popullaritet kudo. Ndoshta fakti që punon shumë dhe, edhe në moshën 63 vjeç, i bën vetë skenat e vështira në xhirime, ka kontribuar në këtë sukses të jashtëzakonshëm. Por, mbase fakti që ai e dinte që në moshë të vogël se çfarë donte të bënte dhe e ndoqi ëndrrën e tij me përpikmëri, ishte sekreti i suksesit të tij.
Në një intervistë së fundmi, ai përshkroi se si të qenit i qartë në lidhje me qëllimet tuaja mund të të ndihmojë të arrish edhe atë që duket e pamundur.
Aktori nisi rrëfimin e tij që nga fëmijëria e deri te realizimi i ëndrrës që kishte, të cilën e zbuloi mjaft herët. Në një bisedë që pati me “Entertainment Tonight” tha:
“Mbaj mend që isha katër vjeç dhe po qëndroja shtrirë në shtrat, teksa mendova:
“Dua të bëj filma dhe të udhëtoj nëpër botë'”, tha Tom përpara premierës së filmit “Mission: Impossible — The Final Reckoning”.
View this post on Instagram
Më tej, ai tregoi se gjatë adoleshencës nisi të shkruante qëllimet e tij dhe mënyrën se si do i arrinte ato.
“Mbaj mend kur isha 17 vjeç, ndoshta edhe më i ri, i shkrova qëllimet që kisha. Kuptova edhe se çfarë duhej të mësoja për t’i arritur. Ndonjëherë ua tregoja njerëzve ëndrrat e mia dhe atyre ndoshta u dukeshin shumë të mëdha apo të paarritshme.”
Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht mëdyshjes, nuk hoqi kurrë dorë dhe nuk ndaloi së besuari në vetvete.
“Në rregull mendoja, nuk do ua them përsëri, por unë i di ëndrrat që kam dhe do i arrij”, shtoi ai. “Më pas, kur shkova në setin tim të parë dhe studiova rolin që do luaja, nuk e dija nëse do të kisha sukses apo jo.
Ëndërrova për të, e doja dhe e dija se kjo ishte një mundësi e madhe për mua. Gjërat ndodhën kaq shpejt dhe një vit më vonë po luaja në filmin, “Risky Business”. Dy vjet më vonë isha në një film me Paul Newman, në “Maverick”.
Isha shumë i përqendruar në të mësuarit se si të bëhesha aktor i mirë. Nuk ndalova kurrë së mësuari dhe ende nuk ndaloj. Kam ëndërruar ta bëj këtë gjithë jetën time. Ishte ëndrra ime dhe e di që është një privilegj që e kam arritur.”
Thënë shkurt, formula e suksesit, sipas një prej njerëzve më të suksesshëm në profesionin e tij, është kjo: Të mos ndalosh kurrë së besuari në vetvete, të kesh të qartë objektivin që do të arrish dhe mbi të gjitha të përmirësohesh vazhdimisht.
Burimi: Marie Claire
Anabelmagazine