Në formën e kitarës, del në shitje makina e famshme e Elvis Presleyt, çmimi modest

Ky është Cadillac Eldorado i vitit 1970, i cili u modifikua për Elvis Presley-n nga dizajneri legjendar i makinave, Jay Ohrberg, dhe u shndërrua në “Guitar Car”. Elvis e përdori këtë makinë për të arritur në një nga koncertet në Las Vegas, duke tërhequr vëmendje të madhe nga publiku.

Sipas të dhënave të disponueshme, Ohrberg-ut i janë dashur plot dy vite për të ndërtuar këtë veturë. Eldorado u nda në mes, u zgjat hapësira ndërmjet boshteve me një shtesë në formën e qafës së kitarës dhe pjesa e pasme u ridizajnua në mënyrë drastike që të ngjante me trupin e një kitare, duke përfshirë edhe bishtin me formë aeroplanike si tek avionët me reaktivë.

Pavarësisht famës së pronarit dhe krijuesit të saj, për Guitar Car-in e Elvisit dihet shumë pak. Me kalimin e kohës, duket se vetura është harruar dhe lënë pas dore.

Sot ajo ndodhet në Orleans, Francë, dhe nuk dihet saktësisht si përfundoi në Evropë.

Pjesa e pasme u ridizajnua në formën e trupit të kitarës, ndërsa karroceria, përfshirë dhe bishtat e mëdhenj, u ndërtua kryesisht nga fibra qelqi.

Kur ishte e re, vetura kishte elementë dekorativë si mekanizma fiktivë për akordim, tela, qafën e kitarës dhe një “skenë” të vendosur aty ku një kitarë e vërtetë do të kishte grykën ose mikrofonin për pickup.

Elvis ishte i njohur për dashurinë ndaj Cadillac dhe shpesh i dhuronte ato miqve, fansave apo edhe të panjohurve. Me këtë makinë, ai arriti në një koncert në Las Vegas me shumë publicitet, duke forcuar edhe më tej imazhin e tij si mbret ekstravagant.

Sot, makina është në shitje në eBay si një automjet jashtë funksionit. Fotot tregojnë se kërkon restaurim të plotë, por për koleksionistët dhe entuziastët e vërtetë, mund të jetë një projekt unik dhe me vlerë – sidomos për një çmim prej “vetëm” 10 mijë euro.

Vetura ishte fillimisht një Cadillac Eldorado i vitit 1970, i pajisur me një motor V8 prej 8.2 litrash, i njohur si Cadillac 500 V8. Motori prodhonte 400 kuaj/fuqi dhe 746 Nm çift rrotullues – mjaftueshëm për të lëvizur një makinë që peshonte 2130 kilogramë.

E vetmja mundësi për transmetimin ishte një ndërrues automatik me tre shpejtësi, e aftë për të përballuar këtë çift rrotullues të madh. Në atë kohë, blerësit mund të zgjidhnin mes motorëve V8 prej 7.0 dhe 7.7 litrash, por asnjë version i Eldorado-s nuk ofrohej me motor më të vogël.

tpz.al