
U gjet i vdekur ditë më parë – Çfarë ndodhi në të vërtetë me 29-vjeçarin dhe a ka “gisht” në vrasjen e tij trafikanti shqiptar?
Një ekip huetues është dërguar në Lesvos për të hetuar ngjarjen e ndodhur ditë më parë, ku një 29-vjeçar, Nikos Karaklas, i cili shërbente në Njësinë e Narkotikëve të Rojes Bregdetare u gjet i varur në kapelën e Panagia Faneromeni në Sigri.
Ndonëse fillimisht policia bëri me dije se bëhej fjalë për një vetëvrasje, pas ankesave të familjes për kërcënimet që merrte i riu, nisën hetimet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një vetëvrasje apo një ngjarje kriminale.
Sipas mediave vendase mësohet se përveç oficerëve të FBI-së greke, kjo ngjarje po hetohet edhe nga Punët e Brendshme të Forcave të Sigurisë, pasi 29-vjeçari shërbente në Divizionin e Narkotikëve të Rojës Bregdetare si mbajtës qensh K9.
Në fakt, pak orë para se të gjendej i vdekur, mëngjesin e së premtes, një sasi e madhe droge (8 kilogramë hashash dhe 1 kilogram kokainë) ishte zbuluar në një kamion që kishte mbërritur në ishull me anije nga porti i Pireut. Lidhur me këtë rast u vu në pranga një 30-vjeçar grek, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij, një shqiptar, arriti që të arratisej.
Teksa policia po punon për arrestimin e shqiptarit, gjithashtu po heton nëse ai ka gisht në vdekjen e të riut grek.
Në deklaratat e dhëna në polici, familjarët e Nikos Karaklas janë shprehur se në asnjë moment ai nuk kishte lënë përshtypje se do t’i jepte fund jetës apo të ishte në gjendje të rënduar emocionale.
Ndërkohë, nëna ka ngritur një tjetër pistë hetimi duke thënë se djali i saj është kërcënuar edhe më herët, për shkak të punës së tij. Të tjera informacione nga rrethi i tij i ngushtë thonë se dy ditët e fundit ai është shfaqur sikur diçka po e shqetësonte. Vlen të theksohet se ai ishte me pushim mjekësor, ndonëse sipas burimeve të tjera mund të ishte në shërbim për rastin e drogës që u hetua në port pak orë para se të gjendej i varur në kryqin e kishës prej mermeri.
Thuhet se ditën kur dhe ndodhi ngjarja i riu grek po qarkullonte me automjetin e tij të punës, ndërkohë që qenin e tij K9 e kishte lënë në shtëpi.
Policia është duke hetuar këtë ngjarje, teksa po heton dhe po kërkon të gjejë informacione nëse 29-vjeçari para se të gjendej i vdekur ishte përfshirë në ndonjë debat, pasi në fytyrën dhe trupin e tij kishte shenja dhune.
Kjo përgjigje dhe shumë të tjera priten të jepen dhe zbulohen nga celulari i viktimës, i cili u gjet së bashku me këpucët e tij 87 kilometra larg vendit ku ai ndërroi jetë.
gazetatema.net