
Çastet e fundit të jetës së ish-futbollistit Jorge Bolano: “Po kërcente dhe u rrëzua”
Një tragjedi e tmerrshme, e bërë edhe më e vështirë për t’u pranuar nga mungesa absolute e simptomave apo shenjave që mund të linin të kuptohej se zemra mund ta tradhtonte papritur Jorge Bolano, i cili vdiq të dielën në moshën 47-vjeçare nga një infarkt i befasishëm. Rrethanat e fundit të jetës së ish-futbollistit kolumbian, që kishte luajtur për 10 vite në Itali, e shtojnë edhe më shumë dhimbjen për familjarët dhe të dashurit e ish-futbollistit Bolano, të cilët ishin me të gjatë një feste private plot me fëmijë dhe gëzim, ku pikërisht Jorge ishte një nga protagonistët kryesorë. Një video tregon qartë paqen dhe gëzimin e atyre momenteve, pak para se ish-mesfushori i kombëtares të “rrëzohej në tokë teksa po kërcente”.
Çastet e fundit të jetës së Jorge Bolano
Sipas dëshmive të të pranishmëve, ish-lojtari po kërçente dhe po argëtohej në një atmosferë feste, kur papritur u rrëzua në tokë. Pavarësisht se u transportua në spital dhe u provuan manovrat e reanimimit, nuk ishte e mundur që t’i shpëtohej jeta. Një i afërm që ndodhej në festën që zhvillohej në qytetin Cucuta, aty ku Bolano kishte vendosur të jetonte pasi kishte mbyllur karrierën profesionale me ekipin vendas, tregoi çfarë ndodhi: “Askush nuk e priste këtë, ishte krejtësisht i shëndetshëm, nuk ishte ankuar kurrë për ndonjë simptomë që mund të tregonte ndonjë sëmundje të zemrës apo diçka të ngjashme”.
Dëshmia e një të afërmi
Bolano po shijonte festën me familjen dhe të dashurit e tij, ishte një njeri me një jetë të pastër dhe të qetë: “Ishte me familjen e tij, si gjithmonë, i lumtur. Ishte qendra e çdo feste, qeshte, kërçente, argëtohej. Papritur u rrëzua dhe ndodhi ajo që tashmë të gjithë e dimë”. Fillimisht të pranishmit menduan se ishte ndjerë keq për shkak të diçkaje që kishte ngrënë, por sapo kuptuan se situata ishte shumë e rëndë, provuan ta reanimonin në vend, më pas e çuan në një qendër mjekësore aty pranë, por nuk mundi askush ta shpëtonte: “Provuan të gjitha manovrat e nevojshme të reanimimit, e çuam në një spital në qytet, por ishte tashmë i vdekur, nuk kishte shumë gjëra që mund të bëheshin”. Siç u konfirmua zyrtarisht, shkaku i vdekjes ishte “një arrest kardiak i papritur”.