
Ringjallet Ervis Martinaj? Ja përse u sulmua CFO Pharma e Nadir Çaushollit?
30 plumba kallashnikovi u qëlluan gjatë natës në fasadën e kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” në Tiranë, fatmirësisht pa asnjë të dëmtuar në.
Nga kamerat rezulton të jetë qëlluar nga një makinë, e cila u largua në drejtim të mbikalimit të Kasharit. Pronari i biznesit, Nadir Çausholli pretendoi se nuk kishte probleme dhe nuk dinte kush janë autorët.
Por, përse dikush do të kryente një sulm të armatosur ndaj një kompanie, kur në mes nuk ka asnjë problem?
Burime të Albeu.com bëjnë me dije se sulmi mund të jetë kryer për shkak të borxheve të marra me fajde, nga të paktën dy grupe të ndryshme kriminale, njëri prej të cilave është ai i Ervis Martinit.
Sipas burimeve gazetareske të Albeu.com, biznesmeni Nadir Çausholli ka marrë hua nga Ervis Martini në vlerë 13 milion euro, hua e cila nuk është shlyer.
Një version të ngjashëm të kësaj historie, e ka dhënë edhe gazetari Artan Hoxha, i cili në një dalje televizive, ka folur në lidhje me sulmin ndaj CFO Pharma.
Hoxha ka deklaruar se dyshohet që në këtë kompani farmaceutike mund të ketë investuar apo ka qenë bashkaksioner Ervis Martinaj.
Gazetari Hoxha bëri me dije se një pjesë e hetimeve për aksionet e mundshme të Martinajt në kompaninë farmaceutike është kryer që në periudhën kur Ervis Martinaj u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”.
“Është hetuar edhe për shkak se është dyshuar që aty mund të kishte investuar ose mund të ishte bashkaksioner edhe Ervis Martinaj, një nga pjesët e hetimit, flas në momentin kur Ervis Martinaj është shpallur në kërkim, për shkak të atij operacionit ‘Plumbi i artë’ dhe pastaj më mbrapa kur ai u rrëmbye, u ekzekutua dhe u zhduk kufoma e tij dhe ne jemi sot në këtë situatë”, tha gazetari Artan Hoxha. /albeu.com/
tirana1.com