
Dash Sula thyen heshtjen, akuza Berishës dhe Lapajt
Deputeti demokrat Dashnor Sula theu heshtjen 72 orëshe për të ardhmen e tij në politikë, duke njoftuar sot se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e 11 majit, as me Partinë Demokratike dhe as me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas një marrëveshje të lënë përgjysmë.
Dashnor Sula sqaron në një postim në Facebook se Adriatik Lapaj nuk i dha garancinë që Sula do të merrte mandatin e deputetit nëse dilte më i votuari. Sula hodhi akuza të forta ndaj drejtuesit të “Shqipëria Bëhet” duke thënë se po përdoret nga Sali Berisha për të mbledhur votat e djathta që vetë ish-kryeministri nuk i mbledh dot.
“Kjo “Shqipëria Bëhet” qenkërka një kurth i Dr. Berishës për të mbledhur vota të djathta që vetë z. Berisha nuk arrin t’i mbledhë dhe duket se paska gjetur një talent të ri të mashtrimit si të atyre sekteve që premtonin takime me Zotin. Edi Rama ashtu qesh e ngjesh e ka thënë tamam atë që demokratët po nuk thanë kënetën e Berishës s’do vijnë kurrë në pushtet. Po! Berisha është hajmalia e fatit të Edi Ramës. Plani i Berishës për ti ndarë votat e djathta mes tij dhe Lapajt i japin Ramës jo mandatin e 4, por e bëjnë mbret”, shkruan Sula.
Deputeti nuk e fsheh zhgënjimin që nuk është më kandidat i PD, duke e quajtur lënien e tij jashtë listave pabesi. Sula akuzon Berishën se synimi i tij nuk është fitorja por krijimi i një grupi parlamentar me besnikët e tij.
“Berisha në 11 maj nuk do që të fitoj zgjedhjet, ai do të krijojë vetëm një grup parlamentar me besnikët e tij që do vijojnë ti bëjnë fresk edhe më 12 maj. Berisha shkeli me të dyja këmbët statutin e PD dhe premtimet e veta dhe u pa qartë se ai as nuk e ka në mend të mund Edi Ramën në zgjedhje. Me kë do e mund me Jenisherin, Kostaq Papën apo me Kujtim Gjuzin?! Apo mos do e mundi duke carë votat e djathta mes tij dhe Lapajt?”, vijon Sula.
Dashnor Sula u la jashtë listave të kandidatëve për deputetë nga Sali Berisha pavarësisht se doli më i votuari i primareve në të gjithë qarkun e Elbasanit.
lapsi.al