WhatsApp thotë se gazetarët dhe anëtarët e shoqërisë civile janë përgjuar nga një kompani izraelite
Gati 100 gazetarë dhe anëtarë të tjerë të shoqërisë civile që përdorin WhatsApp, aplikacioni i mesazheve në pronësi të Meta, u vunë në shënjestër nga një program spiun në pronësi të Paragon Solutions, një prodhues izraelit i softuerëve, deklaroi kompania sot.
Gazetarët dhe anëtarët e tjerë të shoqërisë civile u njoftuan për një kompromentim të mundshëm të pajisjeve të tyre, teksa WhatsApp tha për “Guardian” se kishte “mundësi të lartë” se përdoruesit në fjalë ishin shënjestruar dhe “mundësisht komprometuar”.
Kompania nuk pranoi të zbulonte se ku ishin vendosur gazetarët dhe anëtarët e shoqërisë civile, nëse ata ishin të vendosur në SHBA apo vende të tjera.
Kompania tha se i kishte dërguar Paragon një letër “të pushojë dhe të ndalojë” dhe se po shqyrtonte opsionet e saj ligjore. WhatsApp tha se sulmet e supozuara ishin ndërprerë në dhjetor dhe se nuk ishte e qartë se për sa kohë objektivat mund të kenë qenë nën përgjim.
“WhatsApp ka ndërprerë një fushatë spyware nga Paragon që synonte një numër përdoruesish, përfshirë gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ne kemi kontaktuar drejtpërdrejt me njerëzit që besojmë se janë prekur. Ky është shembulli më i fundit se pse kompanitë spyware duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre të paligjshme. WhatsApp do të vazhdojë të mbrojë aftësinë e njerëzve për të komunikuar privatisht”, tha një zëdhënës i kompanisë.
WhatsApp tha se besonte se i ashtuquajturi vektor, ose mjeti me të cilin virusi u shpërnda përdoruesve, ishte përmes një skedari keqdashës pdf që u dërgua individëve që u shtuan në bisedat në grup. WhatsApp tha se mund të thoshte me “besim” se Paragon ishte i lidhur me këtë shënjestrim.
voxnews.al