Përbëhet nga dy emigrantë shqiptarë të Italisë: Disa detaje që nuk i dini për Shkodrën Elektronike
Emri i Shkodrës Elektronike u bë i njohur për shumicën prej nesh me pjesëmarrjen e këtyre të fundit në “Festivalin e Këngës 63”.
Çifti që përbën bandën muzikore, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dalluan midis pjesëmarrësve të tjerë të Festivalit që në zanafillë të publikimit të këngëve konkurruese për stilin e veçantë të këngës së tyre.
“Zjerm”, kënga përfaqësuese e Shkodrës Elektronike, pati një përqafim të shpejtë dhe të ndjeshëm nga publiku, faktor ky që u siguroi atyre fitoren e “FiK 63” dhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.
Por kush është Shkodra Elektronike? Ja disa informacione që nuk i dije për duo-n që përbën këtë grup muzikor:
1- Shkodra Elektronike përbëhet nga dy emigrantë shqiptarë të Italisë
Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji janë dy emigrantë shqiptarë që janë rritur në shtetin fqinj të Italisë, larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës.
Pavarësisht moshave dhe historive të ndryshme të jetëve të tyre, dyshja ka zbuluar se qëllimi i “të gjeturit një mënyrë për t’u kthyer në shtëpi pa marrë një biletë avioni”, ka qenë i përbashkët për ta.
2- Zhanri muzikor që trajton Shkodra Elektronike quhet “Post Immigrant Pop”
Grupin e tyre, formuar nga tekstshkruesi dhe producenti Kolë Laca dhe këngëtarja dhe tekstshkruesja Beatriçe Gjergji, Shkodra Elektronike e cilëson një “projekt muzikor”.
Fokusi i muzikës së projektit të tyre është risjellja e këngëve tradicionale shkodrane me një qasje kontemporane të muzikës elektronike. (Këtu merr jetë dhe emri i projektit të tyre, “Shkodra Elektronike”.)
3- Shkodra Elektronike ka një eksperiencë 5-vjeçare në treg
Projekti i tyre nisi në vitin 2019 dhe që atëherë, artistët kanë performuar në evente të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në vitin 2020, ata publikuan këngën e tyre origjinale të parë, ”Ku e gjeta vedin”, e cila doli dhe fituese e Çmimit Special në Festivalin vjetor të Shkodrës “Luleborë”, duke vijuar më pas me publikimin e këngëve “Synin si qershia” dhe “Turtulleshë”.
Kënga “E jemja nuse”, e kompozuar prej tyre dhe e interpretuar nga Rezarta Smaja, fitoi çmimin e tretë në “Festivalin e Këngës 60”.
Në vitin 2022, projekti i tyre u përzgjodh nga eksporti muzikor ballkanik “MOST” dhe aktualisht Shkodra Elektronike është nën menaxhimin e kompanisë Alt Orient, e cila u themelua në vitin 2016, me qëllimin për “të krijuar një shtëpi për muzikën alternative elektronike Lindore dhe Afrikane”./Anabel.al
voxnews.al