Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes: Kjo procedurë kozmetike mund t’ju bëjë të dukeni si zvarranikë

Të shumtë janë ata që vuajnë nga rrathët e zinj ose qeskat poshtë syve, dhe veçanërisht që nga vitet 2000, janë përpjekur ta rregullojnë këtë me një procedurë kozmetike jokirurgjikale të quajtur mesoterapi.

Mesoterapia përfshin injektimin e një lëngu që përmban vitamina dhe minerale nën lëkurë duke përdorur gjilpëra të vogla për të zbutur dhe eliminuar rrudhat dhe për të reduktuar yndyrën, në një përpjekje për të eliminuar qeskat nën sy. Vitet e fundit, popullariteti i saj është rritur në Shtetet e Bashkuara, dhe mezoterapia përdoret gjerësisht edhe në stomak dhe kofshë.

Megjithatë, përpara se të shihni ndonjë rezultat, trajtimi lë pas një sërë gunga të ngjashme me hoje mjalti që i japin lëkurës nën sy një pamje pothuajse zvarranike.

Rreziqet e mesoterapisë sipas ekspertëve

Sipas ekspertëve të kontaktuar nga Daily Mail, mesoterapia mbart disa rreziqe dhe mund të mos sjellë rezultatet e dëshiruara. Dr. Viktoryia Kazlouskaya, një dermatologe në Nju Jork, tha për Daily Mail se rreziqet e mesoterapisë nën sy shkojnë përtej efekteve të vogla anësore. Pacientët mund të përjetojnë mavijosje afatgjata, reaksione të rënda alergjike, dëmtime të syve dhe nekrozë të lëkurës, që ndodh kur qelizat në trup vdesin për shkak të mungesës së furnizimit me gjak. Kjo është për shkak të vendosjes së gjilpërës në enët e gjakut.

Ndërsa mesoterapia mund të jetë e ligjshme në disa vende, mungesa e mbikëqyrjes rregullatore në Shtetet e Bashkuara do të thotë që pacientët mund të ekspozohen ndaj produkteve të falsifikuara ose të paverifikuara – në përgjithësi, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur saktësisht se çfarë substancash injekton mjeku juaj. Mesoterapia u zhvillua në vitin 1952 në Francë si një trajtim për çrregullimet e enëve të gjakut dhe sistemit imunitar, dhe që atëherë është përdorur pothuajse për çdo gjë. Sot, përdoret më së shpeshti për të hequr yndyrën e stomakut, për të fshirë rrudhat dhe për të shtrënguar lëkurën.

voxnews.al