Vargje nga një robot? Ja si ChatGPT po ”sfidon” edhe Shekspirin

Nëse gjithë bota është një skenë dhe njerëzit thjesht aktorë, çfarë roli kanë krijesat jo-njerëzore, si inteligjenca artificiale? Rezulton se AI jo vetëm që mund të jetë një konkurrent i denjë, por edhe të pëlqehet më shumë se vetë mjeshtrat e vargjeve, si Shakespeare.

Një studim i ri i botuar në revistën Scientific Reports zbuloi se chatbot-et si ChatGPT, mund të krijojnë poezi në stilin e poetëve të famshëm dhe në disa raste, lexuesit preferojnë ato krijimime kundrejt krijimeve origjinale.

Si funksionoi eksperimenti?

Studiuesit përdorën ChatGPT-3.5 për të krijuar poezi në stilin e autorëve si William Shakespeare, Sylvia Plath, Emily Dickinson, Walt Whitman dhe T.S. Eliot. Më pas, 1,634 pjesëmarrësve iu kërkua të lexonin dhjetë poezi- pesë të krijuara nga poetët e njohur dhe pesë të krijuara nga AI – pa iu treguar burimi i vargjeve.

Rezultatet? Vetëm 46% e pjesëmarrësve arritën të dallonin krijimet e AI nga ato të njerëzve. Në një eksperiment tjetër, një grup i ri prej 696 pjesëmarrësish vlerësoi poezitë bazuar në ritmin, origjinalitetin dhe cilësi të tjera. Kur lexuesit mendonin se po lexonin poezi nga njerëz, ato vlerësoheshin më shumë. Por kur nuk e dinin autorësinë, poezitë e krijuara nga AI shpesh merrnin pikët më të larta.

Pse AI rezultoi më i pëlqyer?

Sipas studiuesve, poezi të tilla janë më të thjeshta dhe më të drejtpërdrejta në komunikimin e emocioneve, imazheve dhe temave. Për shembull, një poezi e stilit të Sylvia Plath nga ChatGPT përshkruan ndjenjën e trishtimit me vargje të qarta dhe të kuptueshme:

“Ajri rëndon nga tensioni,?

Mendja ime një rrëmujë e pafund.?

Pesha e ndjenjave më shtyp,

Zemra – e thyer, në grimca trishtimi.

Errësira vjen tinëzisht,

Si një mantel që më mbështjell.

Bota jashtë është e ftohtë, e ashpër,

Unë, një njeri i thyer që s’gjen shteg.

Mendimet më vërtiten furishëm,

Një ciklon në trurin tim.

Dua të kapem pas diçkaje të fortë,

Por çdo gjë humbet pa kthim…”

Kjo qartësi e bën AI më të pranueshme për lexuesit modernë, të cilët shpesh kërkojnë përgjigje të shpejta dhe të thjeshta, sesa të zhytën në mendime të ndërlikuara dhe abstrakte.

Çfarë nënkupton kjo për lexuesit?

Studiuesit theksojnë se lexuesit shpesh e ngatërrojnë kompleksitetin e poezive njerëzore me konfuzionin e krijuar nga AI. Për shembull, një pjesëmarrës që lexoi një poezi të T.S. Eliot e përshkroi atë si “një tekst pa kuptim, që nuk mund të vijë nga dikush me ndjenja.”

Megjithatë, për poetët bashkëkohorë, kjo nuk përbën kërcënim. Poetja Dorothea Lasky, e vetmja autore bashkëkohore e përfshirë në studim, u shpreh: “Nëse njerëzit pëlqejnë poezinë, nuk ka rëndësi kush e ka shkruar. Poezia do të jetë gjithmonë e nevojshme.”

Në fund të fundit, ndoshta ka vend për të gjithë – edhe për poetët robotikë.

Anablmagazine