Parajsa artificiale, romani im i ri

Parajsa Artificiale është romani im i ri, i cili u shkrua në janar të këtij viti. Ai ndryshoi disa herë titullin gjatë kohës që u shkrua, pastaj gjatë kohës kur u redaktua, pastaj gjatë kohës kur u korrektua dhe deri ditën e fundit kur shkoi në shtyp.

Në asnjë rast tjetër nuk kam negociuar kaq shumë për titullin e një libri me ata që e lexuan. Çuditërisht të gjithë nuk e donin titullin që unë kisha zgjedhur, kështuqë Parajsa Artificiale, mbeti një variant kompromisi, sepse ky është roli i parajsave: t’i kënaqin të gjithë nga pak.
Ky roman është pothuajse një eksperiment letrar të cilin nuk besoja se do ta provoja ndonjëherë, sepse eksperimentet nuk më japin më kënaqësinë që më jepnin dikur. Parajsa Artificiale nuk ka përshkrime por ka vetëm dialogje.

Romani nuk tregon pothuajse asnjëherë çfarë mendojnë personazhet, çfarë kanë veshur, ku kanë shkuar, si është koha, a fryn erë, sa është ora, a është e martë apo e djelë, por tregon vetëm çfarë i thonë ata njëri-tjetrit. Prandaj Parajsa Artificiale është një dialog mes dy njerëzve. Një bisedë që zgjat nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kur ata ndahen.

Dy personazhet janë një burrë në moshë të mesme dhe një vajzë sa gjysma e moshës së tij, të cilët kanë një marrëdhënie dashurie. Kur ia tregova këtë detaj botueses sime, ajo e mori si një lajm të mirë sepse si shumë njerëz që më kanë lexuar edhe ajo beson se unë nuk kam aftësinë, arsyen dhe frymëzimin për të shkruar romane dashurie. Deri diku ka të drejtë.

Parajsa Artificiale edhe është edhe nuk është një roman dashurie. Nuk është sepse nuk tregon një dashuri të zgjatur në kohë, e cila lind në një stol dhe përfundon në një stol tjetër apo në një park që i bijen gjethet. Por nga ana tjetër, Parajsa Artificiale është një roman dashurie, sepse në emër të dashurisë personazhi kryesor Simon Shuter, sajon një luftë imagjinare për të qetësuar dramën familjare të vajzës së re.
Çfarë mund të bëjë më shumë një burrë, sesa të sajojë një luftë për një grua?

Gjatë kohës që zhvillohet kjo luftë në një dhomë gjumi ndodh çdo gjë. Aty kalojnë profetët, Jezu Krishti dhe Muhamedi, fetë e tyre, krishtërimi dhe islami, ushtritë, shtetet e mëdha, pushtimet, tragjeditë, tradhëtitë, Zoti, lumturia dhe dashuria. Për shkak të lojërave të mendjes që bën Simon Shuter, vajza qan, vuan, mërzitet pastaj qetësohet, qesh, qan prapë nga gëzimi dhe në fund mbetet e lumtur.
Kjo është pjesa e parë që quhet Ferri.

Në pjesën e dytë që quhet Parajsa, Simon Shuter tregon si do jetë bota në kohën e Inteligjencës Artificiale. Për lumturinë e vajzës ai shpjegon si në një përrallë, sesi Inteligjenca Artificiale do të zhdukë gënjeshtrën, tradhëtinë, dëshpërimin dhe shumë nga veset e njeriut. Simon Shuter parashikon sesi do jetë bota në kohën kur Inteligjenca Artificiale do zëvendësojë njeriun duke zhdukur tre armiqtë e tij kryesorë : punën fizike, paranë dhe Zotin.

Në parajsën që Simon Shuter e krijon përmes Inteligjencës Artificiale nuk do ketë më as të varfër dhe as të pasur, nuk do ketë më shtet dhe as demokraci, njerëzit nuk do kenë arsye të votojnë dhe do jenë të gjithë të barabartë dhe të lumtur. Pa punuar. Por vetëm duke bërë dashuri dhe art.

Kjo është bota ideale e Simon Shuterit. Është utopia e tij e plotësuar nga Inteligjenca Artificiale.

Sikur Inteligjenca Artificiale të mos tingëllonte si një term shkencor, ndoshta ky libër do ta meritonte këtë titull, por kur shkenca dhe arti kombinohen gjithmonë humb arti. Kështu që Parajsa Artificiale është titulli i merituar sepse personazhet krijojnë parajsën duke imagjinuar sikur jetojnë dhe vetë aty.

Parajsa Artificiale do dalë në Panairin e Librit që nis këtë javë në 13 nëntor, në Tiranë dhe natyrisht do jetë në të gjitha libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ju pres në Panair, natyrisht te stenda e Botimeve Pegi.

tpz.al