Ishte në kërkim nga policia e Kosovës, arrestohet në Shëngjin Noizy dhe Dj Crax

Noizy dhe Dj Crax të cilët ishin në kërkim nga policia e Kosovës janë arrestuar në Shëngjin.

Ata akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj personazhit të TikTok, Medi Iseni në një klub nate në Pejë mëngjesin e 2 Gushtit.

Ditën e djeshme, në një reagim të gjatë Instagram, reperi ka mohuar të jetë i përfshirë në ngjarje, ndërsa thekson se nuk është në arrati.

Ai shkruante se i është ngritur një kurth dhe se në bashkëpunim me avokatë po merret me sqarimin e ngjarjes.

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe DJ Crax (Bahtjar Bajraktari) të cilët u vunë mbrëmjen e djeshme në pranga nga Fast Albania.

Ndaj tyre ishte lëshuar urdhërarrest nga autoritetet e Kosovës pasi dyshohet se janë autorë të dhunimit të TikTok-erit Medi Iseni, ngjarje e ndodhur më 2 gusht në Pejë.

Noizy dhe Dj Crax akuzohen për veprën penale “Lendim i rëndë trupor”.

Policia bën me dije se arrestimi i tyre u bë me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.

Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

tpz.al