Dezinformimi në media ndaj boksieres algjeriane, reagon babai i saj: Është një vajzë e vogël që e do sportin!

Boksierja algjeriane, Imane Khelif, u shënjestrua nga disa media, në një fushatë dezinformimi duke u klasifikuar si transgjinore edhe pse nuk është e tillë.

Reagimet e shumta erdhën pas ndeshjes me italianen Angela Carini, e cila u dorëzua vetëm pas 46 sekondash, ndërkohë që bërtiste se ndeshja ishte “e padrejtë”. Më pas, vetë italiania deklaroi se do të donte t’i kërkonte ndjesë boksieres algjeriane.

Së fundmi ka zgjedhur të reagojë dhe babai i boksieres, Amar Khelif, i cili thotë se kritikat janë “imorale”, pasi ishte pikërisht ai që e nxiti Imanen të shkonte deri në fund dhe të fitonte medaljen e artë për vendin e saj.

“Imane është një vajzë e vogël që e ka dashur sportin që në moshën 6-vjeçare, ajo ka luajtur futboll. Këto kritika dhe thashetheme synojnë të destabilizojnë Imanen, ata nuk duan që ajo të jetë kampione e botës.

Unë i them asaj t’i tregojë se e kanë gabim në ring dhe shpresoj që ajo të nderojë Algjerinë dhe vendet arabe dhe të fitojë medaljen e artë. Ajo është modeli ynë dhe ne duam të jemi si ajo dhe të nderojmë Algjerinë”, u shpreh Amar.

Ai vazhdoi të tregojë një dokument zyrtar të datës 2 maj 1999, ku thuhet se Khelife Imane ka lindur femër.

tpz.al