Prokuroria e Pejës kërkon ndihmën e qytetarëve: Noizy me shokë të paraqiten në polici, na ndihmoni t’i gjejmë
Dy ditë më parë, reperi Noizy dhe disa persona tjerë dyshohet se janë përfshirë në një rrahje në një nga diskotekat e Pejës. Dy persona kërkuan ndihmë mjekësore në spital, njëri nga ta Muhamed Iseni, u vetëdeklarua i rrahur në këtë incident. Të arrestuar nuk ka, ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i bën thirrje Noizyt dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Në një bisedë për Gazetën Express, zëdhënësi Nikçi, fton qytetarët që të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese. Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial neve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi për mediat në Kosovë.