Beyonce i jep leje Kamala Harris-it të përdorë këtë këngë për fushatën e saj

Zëvendëspresidentja Kamala Harris bëri një hyrje të madhe gjatë vizitës së parë zyrtare në selinë e fushatës së saj të hënën në mbrëmje, me këngën e Beyonce-s, “Freedom”. Një burim i afërt me Harris tha për CNN se ekipi i saj e mori miratimin nga përfaqësuesit e Beyonce-s për ta përdorur këngën gjatë gjithë fushatës së saj presidenciale.

Beyonce, e cila njihet për të qenit strikte për muzikën e saj, i dha miratimin e shpejtë fushatës së Harris kur ata kërkuan leje për të përdorur “Freedom” të hënën, shtoi burimi.

Ndërsa Beyonce nuk e ka mbështetur zyrtarisht Harrisin që kur Presidenti Joe Biden njoftoi se nuk do të kërkonte një mandat të dytë, dhënia e lejes së saj për të përdorur “Freedom” si një këngë fushate tregon se Harris ka mbështetjen e yllit të muzikë.

Nëna e Beyonce, Tina Knowles, mbështeti Harris të dielën, menjëherë pas njoftimit të Biden.

“E re, rinore, e mprehtë, energjike!!!!” postoi Knowles në Instagram me një foto të saj së bashku me Harris. “Duke lënë mënjanë egon personale, fuqinë dhe famën. Ky është përkufizimi i një udhëheqësi të madh. Faleminderit President Biden për shërbimin dhe udhëheqjen tuaj. Zëvendëspresidentja Kamala Harris për Presidente. Shkojmë!”

Beyonce ka një histori të përkrahjes së kandidatëve demokratë. Në vitin 2013, ajo këndoi Himnin Kombëtar në inaugurimin e Presidentit Barack Obama. Në vitin 2016, Beyoncé dhe bashkëshorti i saj Jay-Z kryesuan një koncert parazgjedhor për Clinton në Cleveland, Ohio. Në vitin 2020, Beyoncé miratoi dyshen Biden-Harris, duke inkurajuar ndjekësit e saj të votojnë.

tpz.al