Keisi Mejdini: Talenti që Zinzin ka spikatur brenda meje
Çfarë të ka thënë Noizy për talentin që ka spikatur tek ty, dhe kur e si mund të shfaqeshit në videon e parë?
Është e vërtetë që Noizy ka spikatur talent brenda meje, pasi në të kundërt s’do të isha aty. Për më shumë do të ishte mirë të pyesnit personalisht atë, Zinzin. Sa për videon, së shpejti besoj se po, por kohën nuk e përcaktoj dot pasi jam në punë e sipër.
Çfarë mendon se ke të përbashkët me një artist tashmë shumë të paguar si Noizy?
Të përbashkët? Boh! Ku e di unë! (qesh) Shpejt është për të vlerësuar se çfarë kam të përbashkët me të. Ndoshta ai do u jepte një përgjigje të saktë për këtë. Normal që ai ka vitet dhe karrierën që do e bënte të thoshtë diçka më origjinale rreth meje.
Ke ëndrra aq të mëdha në karrierë sa ta imagjinosh veten pranë një këngëtari me emër të madh në bashkëpunim?
S’e di si po ma bëni këtë pyetje, pasi të jesh kaq afër mbretit të repit shqiptar, Noizy-t, dhe të më pyesni mua se me cilin këngëtar do të kisha dëshirë të bëja duet?!(qesh) Nejse, kuptohet se me kë…
Ti nise të spikatësh si modele në fillim, është ky pasioni yt i vërtetë?
Moda ishte diçka spontane, pasi as e kisha ndërmend. Pas dy tre ofertave për photoshooting u identifikova si e tillë, ndërsa muzika më ka shoqëruar gjithë jetën. E s’do shumë për t’u kuptuar pasi jam “goca babait” dhe dardha bie nën dardhë (qesh).
Mund ta cilësosh veten si vajza me shumë hobe, pra ke ndonjë pasion tjetër veç modës dhe muzikës?
Boooh! Besoj se janë mjaftueshëm modelingu dhe muzika si hobe për mua. Nëse do t’i sinkronizoj ashtu siç duhen, besoj se duan shumë punë, kështu që s’do kem kohë të mendoj për hobe të tjera, pa anashkaluar shkollën. Për mua gjithmonë shkolla është shtylla primare, pasi ajo na ndriçon mendjen dhe na largon nga errësira e injorancës.
Duke u nisur nga fotot që poston në profilin tënd në Instagram, komementohesh për jetë luksi. E vërtetë që bën një jetë të tillë?
(qesh) Çfarë është luksi?! Pasi s’e di kujt i thonë luks kur më komentojnë për të tillë.
Ndodh që të joshesh nga komentet që të bëjnë, ku të komplimentojnë vazhdimisht?
Joooo, s’do ia lejoja vetes të joshesha nga komentet se bëj jetë luksi. Vërtet s’më mungon gjë, pasi babi më plotëson gjithçka që ka nevojë një adoleshente, por s’do lejoja veten të mburresha me luksin. Edhe nëse do e kisha një gjë të tillë, luksi im do të konvertohej në bamirësi për fëmijët, qofshin jetimë a të sëmurë për gjithçka që do të kishin nevojë. E sigurisht, që do e bëj një gjë të tillë sa të filloj të përfitoj të ardhura nga karriera ime, nëse ecën ashtu siç duhet.
Ti synon famën ndërkombëtare që po prekin artiste si Era Istrefi, Elvana Gjata, etj?
Kush nuk do ta dëshironte famën ndërkombëtare, pa specifikuar emra të tjerë që e kanë arritur. Ndonjë synim të madh nuk është se e kam, po nëse vjen do të lumturohem. Nuk besoj se këta a këto që e kanë arritur e kanë pasur synim. Thjesht fati i ka çuar drejt saj, kështu shpresoj të kem dhe unë fatin e atyre që kanë arritur diçka të madhe. (qesh)