Heidi thotë se “dashuria për veten nuk është egoizëm” dhe ja pse ka të drejtë

Heidi ka qenë e ftuara e radhës në “Wake Up” dhe përpos se sqaroi raportin me Bora Zemanin, foli edhe për të faktin që banorë të ndryshëm e kanë akuzuar se ‘llogariti’ marrëdhënien e saj me Romeon. Heidi u shpreh se s’e ka mohuar kurrë që është gjakftohtë dhe që i bën ca llogari, por theksoi se e bën për të mirën e vetes, sepse në fund të ditës, dashuria ndaj vetes nuk është aspak egoizëm.

“Të isha vetë jashtë edhe unë do e kisha menduar. Merrja vëmendjen me qetësinë më të madhe. Jam racionale dhe e ftohtë. Unë i kam këto karakteristika, nuk i kam mohuar ndonjëherë. Nuk kam menduar shumë në rastin e Romeos sepse në një format të tillë nuk doja të lidhesha. Nuk është gabim t’i fusim të dyja bashkë, dhe logjikën edhe dashurinë. Nuk ka asgjë të keqe të bësh disa llogari për veten tënde. Jeta nuk është e thjeshtë, është e vështirë. Ka shumë situata që janë marrëdhënie toksike. Të duhet që të mendosh e të njohësh tjetrin, duhet ta keni fuqinë të vini një pikë. Duhet ta doni veten. Unë e dua veten dhe kjo nuk është egoizëm”, u shpreh modelja.

Në fakt, për shumë njerëz, ta duash veten dhe të kesh një standard të caktuar mund të duket egoizëm ose mendjemadhësi. Sido të tingëllojë, për njerëzit që përjashtohen nga standardet e tua, është një veprim egocentrik që të vendos vetëm ty në qendër të gjithçkaje. Që të jemi të sinqertë, në jetën dhe në realitetin tënd, ti duhet të jesh boshti i gjithçkaje!

Ne si popull jemi mësuar që të duam dhe të respektojmë të tjerët. Të duam të rriturit, të mos u kthejmë fjalën dhe kur i shkelin kufijtë me të dyja këmbët; t’u flasim fqinjëve edhe kur nuk dinë të ndalen me pyetjet mbi jetën private; t’u flasim të afërmve sepse ‘gjaku nuk bëhet ujë’ e shumëçka. Kultura ballkanase është në vetvete një komunitet i madh, i cili mësohet qysh në vegjëli që të duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin. Është e vërtetë, ne jemi qenie njerëzore, të prirura për të jetuar në një komunitet, por në një bashkësi ku respektohen limitet dhe vlerat e secilit.

Dashuria ndaj vetes është ndoshta hapi i parë dhe më i rëndësishëm për mënyrën se si ne i prezantohemi botës dhe se si ne presim që të tjerët të sillen me ne. praktikisht, duhet ta duam mjaftueshëm veten që të ndërtojmë lidhje të shëndetshme dhe të forta, të bazuara në themele të rëndësishme të dashurisë, respektit dhe dëshirës për të përparuar së bashku.

Unë nuk do shkruaj gjatë mbi dashurinë ndaj vetes, por mbi të kundërtën: Çfarë ndodh kur dikush nuk e do veten?

Ndodh ajo që i druhemi të gjithë: Tërheq marrëdhënie të pashëndetshme, sepse kur ti nuk e do veten, lejon dhe toleron gjëra që nuk do t’i lejoje normalisht.

Ti kërkon validim dhe konfirmim nga të tjerët, edhe pse në kushte të tjera, mendimi i tyre ndoshta nuk do të kishte pikën e rëndësisë.

Fajëson veten kur njerëzit largohen nga jeta jote.

Nuk e fal veten për gabimet që mund të kesh bërë, duke harruar se të gjithë bëjmë gabime dhe dështojmë.

Nuk ke një marrëdhënie të mirë me veten dhe në shumë raste, nuk ndihesh një person i bukur dhe ke tendencën të tkurresh.

Që të jemi të qartë: Dashuria ndaj vetes është shumë më e ndërlikuar se të shfaqesh me vetëbesim. Është si një tortë me shumë shtresa, në të cilat ti gjithë kohës zbulon diçka të re. Por, nuk do të thotë se ti ulesh në një fron dhe gjithë të tjerët thjesht nuk arrijnë dot në nivelin tënd (në këtë pikë shkojmë në egocentrizëm). Të duash veten është ta njohësh atë, të kesh standardet që ti vendos, ta kuptosh se mendja, zemra dhe shpirti yt janë burime të pashtershme, të cilat vetëm ti mund t’i mbushësh ose vetëm ti mund t’i shterosh.

Anabelmagazine.al