“Lulja e fushave”, simbolika idealizuese e gruas që pranveron në çdo stinë
“Lulja e Fushave” e piktorit dhe poetit francez, Louis Janmot (21 maj 1814 – 1 qershor 1892) nuk është as e para dhe as e fundit prek idealizimit të gruas dhe krahasimit të saj me lulen.
Gruaja në aktin alegorik është gjithnjë aty, e hirshme e bukur, delikate dhe ndjellëse. Ajo ka lindur të jetë një lule dhe si e tillë ajo do të pranverojë shpirtin e ëndjes sonë në katër stinët e vitit.
Sepse ajo është grua dhe lule dhe nuk mund të kuptohet një lule pa nënkuptuar një grua. Kësisoj ishte e bukur dhe mbeti kundërmuese edhe “Lulja e Fushave”.
Piktura tregon një grua të re që është ulur në një skenë të natyrës, e rrethuar me lule dhe flutura.
Ajo ka dy buqeta me lule në duar: njëra e shtrirë në gjunjë, e përbërë nga lulëkuqe, margarita dhe lule misri, tjetra e mbajtur vertikalisht është e përbërë nga lulëkuqe.
Në sfond, peizazhi tregon një fushë të gjelbëruar dhe malet e rajonit Bugey. Qielli është blu, me disa re të bardha pranë maleve dhe tregon se skena ndodh ndoshta në orët e vona të pasdites.
Çdo lule, si dhe fytyra e gruas, janë pikturuar me një saktësi jashtëzakonisht të madhe, ngjyrat e përdorura janë të ëmbla dhe pak melankolike, sikur buron nga vendi i ngjarjes. Pamja e gruas së re duket se përmban një aluzion serioziteti.
Piktura u ekspozua veçanërisht në Sallonin e Parisit në vitin 1845 dhe në Ekspozitën Universelle (1855) , gjithashtu në Paris, midis ekspozitave të tjera. Është restauruar në vitin 1974.
Larousse Encyclopedia e përshkruan këtë vepër si “të ekuilibruar mirë”. Megjithatë, është e paqartë nëse piktura është portreti i një gruaje të njohur nga Janmot, por rrobat që ajo vesh nuk përputhen me kohën e saj, por kujtojnë portretet e Rilindjes italiane.
Kjo mund të jetë një pikturë me lule, pasi ky lloj arti ishte shumë i popullarizuar në Lion në shekullin e 19-të. Një tjetër teori është se e reja është perëndesha Flora dhe mendon për kalueshmërinë e kohës.
“Lulja e fushave” është një pikturë e vitit 1845 në dru nga artisti i Lionit, Louis Janmot. Ajo u ble në 1893 nga Musée des Beaux-Arts de Lyon ku është në ruajtje.
Ora News