“S’e lëviz dot as këmbën e as dorën”- Kur nisi përkeqësimi i shëndetit të diktatorit Enver Hoxha dhe alarmi që shkaktoi te “shokët e udhëheqjes” pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu

DASHNOR KALOÇI/ Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zemra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.

Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por, keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë te “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U). Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë. Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCESVERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE, 17 SHKURT 1984, MBI SËMUNDJEN E ENVERIT

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.

Kjo mbledhje u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia, me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30 ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë. Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë.

Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, iu përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër. Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim pas ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj, tani të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.

RAMIZ ALIA: Ajli Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ajli Alushani.

Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver, të gjitha shërbimet e nevojshme. Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit. Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese.

Synimi i dytë është, që mundësisht të shmangen konsekuencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër e të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër, shoku Enver nuk ka. Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit mund të shkaktojë konsekuenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver, që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese.

Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht apo ka diçka tjetër.

Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh.

Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëri-tjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Po ja për shembull, kur të marrim njërit-tjetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Bile nuk lënë shenja as në moshat e mëdha.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mirë, vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi për këto lloj sëmundjesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje, thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët, mbi këtë çështje.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm që mund t’u duhet mjekëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet e sjellim nga jashtë për këtë rast.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz, se pa qenë gjë, kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë, ç’ka ngjarë. Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e Komitetit Qendror, sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri, të psikologjis.

SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.

SHOKU SIMON STEFANI: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në qëndrimet tona.

SHOKU SIMON STEFANI: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror, u munduam të mos e japim veten.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi?”. Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit, kur nuk je në humorin e zakonshëm.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Ata të pyetën se, nuk të panë në humorin e zakonshëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver të dilte në ndonjë mbledhje publike, që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dëshira jonë e madhe është që shoku Enver, ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nexhmija më tregoi se Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pesimist, se gjendja e shokut Enver mu duk më e rëndë. Edhe Nexhmija, sa më mori dje në telefon që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë. Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot kur e pashë vetë me sy, nuk mu duk shqetësuese gjendja, përkundrazi mu duk e mirë. Kuptohet vetvetiu që edhe shoku Enver pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Rëndësi ka çështja që ka filluar kthesa për mbarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.

SHOKU RAMIZ ALIA: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe në marrjen e masave.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Tani duhen porositur mjekët që po punojnë atje për këto që thamë, se ata e të tjerë hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.

Tiranë, më 18.2.1984. Memorie.al

Panorama